Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar se komuna do të vazhdojë mbështetjen për fermerët përmes një marrëveshjeje të nënshkruar me drejtorin e Islamic Relief Kosova, Dr. Mohamed Soliman, e cila parasheh subvencionimin e tyre me pajisje bujqësore.
Lushtaku bëri të ditur se kjo marrëveshje synon të forcojë sektorin e bujqësisë dhe të krijojë kushte më të mira për fermerët e komunës.
“Përkrahja për fermerët e komunës së Skenderajt me pajisje bujqësore do të vazhdojë fuqishëm edhe përmes marrëveshjes që e nënshkruam sot me drejtorin e Islamic Relief Kosova, Dr. Mohamed Soliman, e cila do të mundësojë subvencionimin e fermerëve tanë me pajisje bujqësore”, ka shkruar Lushtaku.
Ai theksoi se marrëveshja përbën një hap të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë në komunë, duke synuar rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e kushteve të punës për fermerët.
“Kjo marrëveshje është një tjetër hap konkret në mbështetje të bujqësisë, me synimin për të rritur prodhimtarinë, përmirësuar kushtet e punës dhe fuqizuar fermerët tanë, të cilët janë shtyllë e zhvillimit ekonomik të komunës”, u shpreh ai.
Lushtaku ritheksoi angazhimin e Komunës së Skenderajt për të vazhduar investimet dhe bashkëpunimet që mbështesin sektorin e bujqësisë.
“Komuna e Skenderajt mbetet e përkushtuar që, përmes investimeve dhe partneriteteve të rëndësishme, të vazhdojë ta mbështesë bujqësinë dhe çdo fermer që punon me përkushtim tokën e vet!”, shtoi Lushtaku.





