Sot në Kuvend do të mbahet një takim i ri i koordinatorëve dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, përcjell PressOnline.al.
Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së pret qëndrimet e LSDM-së dhe BDI-së në lidhje me propozimin e tyre për votimin e diasporës përmes postës, ndërsa e gjithë procedura të rregullohet me akt nënligjor në një seancë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, më së voni deri më 30 shtator 2028. Nga kjo parti thonë se janë të gatshëm të pranojnë edhe modelin me një njësi të vetme zgjedhore.
Ndërkohë, Levica ka kërkuar që financimi shtetëror për reklamim zgjedhor për partitë me grupe parlamentare të jetë 10 për qind, si dhe vendimmarrja në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve të bëhet me konsensus, gjë që për VMRO-DPMNE-në është e papranueshme.
Në ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Zgjedhor, të cilat tashmë janë në procedurë parlamentare dhe për të cilat janë dorëzuar rreth 13.500 amendamente nga LSDM-ja dhe Levica, çështja më kontestuese ishte propozimi për votimin elektronik të diasporës. LSDM-ja e refuzoi menjëherë këtë propozim, ndërsa nga partia theksojnë se nuk janë kundër votimit të diasporës, duke shtuar se diaspora edhe tani ka mundësi të votojë, por janë kundër një mënyre votimi që nuk garanton siguri, transparencë dhe mbrojtje të vullnetit zgjedhor.
Për Levicën, propozimi për votim elektronik të diasporës ishte i pranueshëm në këmbim të rritjes së përqindjes për reklamim të paguar politik gjatë zgjedhjeve.
Ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Zgjedhor janë pika e fundit nga dhjetë pikat e periudhës së grejsit për vendin tonë, në kontekst të proceseve reformuese. (PressOnline.al)





