Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia për Siguri Kombëtare po hetojnë rreth 20 kanale komunikimi online, përfshirë portale informative, faqe në Facebook, profile në Instagram dhe platforma të tjera digjitale, nën dyshimin se janë përdorur për përhapje të organizuar të gjuhës së urrejtjes dhe nxitje të tensioneve në raportet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, informon PressOnline.al.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat, hetimi lidhet me përmbajtje të shpërndara gjatë periudhës së fundit, veçanërisht me tema të ndjeshme politike si përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë, marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve dhe incidentet e fundit që kanë shkaktuar reagime në opinionin publik. Dyshohet se një pjesë e këtyre përmbajtjeve kanë pasur për qëllim nxitjen e fyerjeve, urrejtjes dhe radikalizimin e debatit publik mes qytetarëve maqedonas dhe bullgarë.
Nga MPB kanë konfirmuar se po veprohet mbi bazë të indikacioneve për portale dhe profile në rrjetet sociale, por nuk kanë zbuluar emrat e mediave, faqeve apo personave që janë pjesë e hetimit. Nga ky institucion sqarojnë se procedura zhvillohet për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “përhapje e materialit racist dhe ksenofob përmes sistemit kompjuterik”, përcjell PressOnline.al.
Nëse gjatë hetimit konstatohen elemente të veprës penale, MPB paralajmëron se do të ndërmerren masa në përputhje me kompetencat ligjore. Krahas përmbajtjes së publikuar, autoritetet po verifikojnë edhe mënyrën e financimit të disa prej këtyre aktiviteteve online.
Ky rast vjen pas një periudhe me tensione të shtuara në relacionin Shkup–Sofje. Kryeministri Hristijan Mickoski, duke komentuar incidentet e fundit, përfshirë djegien e automjeteve diplomatike të ambasadës bullgare në Shkup dhe publikimin e një note diplomatike lidhur me udhëtimin e familjes së tij në Bullgari, kishte vlerësuar se bëhet fjalë për provokime dhe përpjekje të organizuara për ndikim në vend.
Në muajin mars, ASK kishte njoftuar për një hetim tjetër kundër një rrjeti të organizuar, i cili, sipas institucionit, përmes aktiviteteve propagandistike kishte nxitur urrejtje, mosdurim dhe dhunë mes qytetarëve maqedonas dhe bullgarë në të dyja vendet. Atëherë ishte bërë e ditur se aktivitetet ishin zhvilluar me koordinim dhe udhëzime nga një shtetas bullgar, i cili përmes rrjeteve sociale dhe një rrjeti portalesh informative kishte vepruar si aktor joshtetëror në funksion të ndikimeve hibride.
Në media u raportua se bëhej fjalë për Viktor Stojanov, shtetas bullgar dhe kryetar i Fondacionit “Maqedonia”, i njohur në opinion për deklarata mohuese dhe fyese ndaj popullit dhe shtetit maqedonas. Ai më herët kishte bërë thirrje për protesta dhe bllokim të vendkalimeve kufitare mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, por pas reagimeve nga autoritetet bullgare ishte tërhequr nga kjo nismë. Stojanovit i është shqiptuar ndalesë për hyrje në Maqedoninë e Veriut.
Autoritetet nuk japin më shumë detaje për hetimin aktual, por rasti tregon se institucionet e sigurisë po e trajtojnë gjithnjë e më seriozisht ndikimin e propagandës online, sidomos kur ajo lidhet me marrëdhënie ndërshtetërore, identitetin, proceset eurointegruese dhe sigurinë e brendshme. (PressOnline.al)





