Prokuroria sjell komunikimet telefonike si prova në procesin për tragjedinë në “Pulse”

featured
Press Online
06 Korrik 2026, 14:05

Në burgun e Idrizovës vijon sot seanca gjyqësore për zjarrin tragjik në diskotekën Pulse në Koçan, ku 63 persona humbën jetën dhe mbi 200 të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa procedura hyn në një etapë të re të administrimit të provave.

Gjatë seancës së sotme, Prokuroria Publike pritet të vazhdojë me paraqitjen e provave materiale, ku në qendër të vëmendjes do të jenë transkriptet e komunikimeve telefonike. Pas kësaj faze, nga provat e propozuara prej prokurorisë do të mbeten vetëm ekspertiza e ndërtimit dhe dëgjimi i ekspertëve.

Prokurorja publike Natasha Saramandova e cilësoi këtë çështje penale si jashtëzakonisht të ndërlikuar, duke theksuar se dosja përmban një sasi të madhe provash. Sipas saj, procedura e provave po i afrohet fundit dhe pjesa më e madhe e tyre ka të bëjë me rrethanat që sollën pasojat tragjike – vdekjen e 63 personave dhe lëndimet e rënda trupore të më shumë se 200 të tjerëve, mes të cilëve shumë të rinj dhe fëmijë.

Ajo sqaroi gjithashtu se, për shkak të kufizimeve ligjore që vlejnë në këtë fazë të procedurës, prokuroria nuk është në gjendje të japë përgjigje të hollësishme ndaj vërejtjeve dhe kundërshtimeve të mbrojtjes, por bëri të ditur se kjo do të trajtohet në argumentet përfundimtare.

Pas mbylljes së procedurës së provave nga ana e prokurorisë, radha do t’i kalojë mbrojtjes, e cila do të paraqesë provat e saj materiale, dëshmitarët dhe dy raporte ekspertësh.

Procesi po drejtohet nga gjyqtarja Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa organi i akuzës përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.

Zjarri në diskotekën Pulse shpërtheu më 16 mars 2025, gjatë një shfaqjeje të grupit muzikor DNA, dhe konsiderohet një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e kohëve të fundit të Maqedonisë.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter