Victoria Beckham nuk ka ndërmend të ndalet. Pasi e ktheu emrin e saj në një markë të suksesshme mode dhe bukurie, ish-ylli i Spice Girls tani raportohet se po përgatitet të hyjë në një treg krejtësisht të ri, atë të produkteve luksoze për shtëpinë.

Sipas Daily Mail, stilistja 52-vjeçare po punon për zgjerimin e markës së saj, e cila vlerësohet të ketë një vlerë rreth 85 milionë euro, me një koleksion ekskluziv të dedikuar arredimit dhe aksesorëve të shtëpisë.
Burime pranë projektit bëjnë të ditur se koleksioni mund të përfshijë gjithçka, nga pjata elegante, gota, filxhanë, takëme dhe enë kuzhine, deri te mobilje, jastëkë dekorativë, vazo dhe një gamë të gjerë aksesorësh premium për ambientet e brendshme.

Lëvizja shihet si hapi i radhës në strategjinë e Victoria-s për ta kthyer markën e saj në një emër të plotë të stilit të jetesës, duke mos u kufizuar më vetëm te moda dhe kozmetika.
Megjithatë, stilistja ka lënë të kuptohet se nuk përjashton as mundësinë që një ditë të shesë biznesin e saj.
Në një intervistë të fundit, ajo pranoi se është e hapur ndaj çdo mundësie që mund ta çojë markën në një nivel edhe më të lartë, por theksoi se për momentin prioriteti i saj mbetet zgjerimi i kompanisë.

Në të njëjtën kohë, Victoria zbuloi se po planifikon hapjen e dy dyqaneve të reja fizike në New York dhe Miami, duke shpjeguar se dëshiron të ketë kontroll të plotë mbi përvojën që klientët përjetojnë me markën e saj.
Ajo shtoi se ende ekzistojnë shumë kategori ku biznesi i saj nuk është i pranishëm dhe se sheh potencial të madh për rritje në vitet e ardhshme.
Pas vitesh investimesh dhe sfidash financiare, Victoria Beckham tha se ndihet krenare që marka e saj më në fund është bërë fitimprurëse, duke e konsideruar këtë një nga arritjet më të mëdha të karrierës së saj.
Ndërsa fansat vazhdojnë të ëndërrojnë për një ribashkim të Spice Girls, Victoria e bëri të qartë se rikthimi në muzikë nuk është në planet e saj. Ajo tha se tani skena i përket brezit të ri, duke shtuar me humor se pasionin për muzikën ia ka lënë djalit të saj, Cruz Beckham.






