Arrestimi i protestuesve gjatë tubimit të së enjtes pranë ambienteve të parlamentit për Kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha është një akt i paprecedent.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët online, kryedemokrati kërkoi lirimin e tyre si dhe llogaridhënie nga policia e shtetit.
“Me të gjitha mjetet, ndaj vajzave dhe djemve të cilët dhunën më maksimale e patën hedhjen e vezëve dhe qeseve me miell drejt deputetëve. Dhuna e përdorur nga narkopolicia ndaj protestuesve ishte dhuna më hakmarrëse, më primitive. Unë kërkoj në emër të PD, lirimin e tyre të menjëhershëm dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që ushtruan dhe urdhëruan një dhunë ndaj protestuesve paqësorë”, tha Berisha.
Protesta e kësaj së shtune sipas kryetarit të PD, ka mbështetjen e plotë të opozitës ndërsa dha një paralajmërim për kryeministrin Edi Rama.
“Tani unë dua t’i them atij, dua t’i kujtoj vetëm një gjë. Mos të të rrejë mendja se vërtet ti ke falangat e policisë dhe forcën e mjeteve të tyre. Po dije një gjë, historia ka faktuar se fuqinë nukleare e ka sovrani, e ka populli. Dhe mos guxo, mos guxo të tentosh të matesh me popullin. Zemërimi i popullit, hakmarrja e popullit është tashmë e mirënjohur si fuqi nukleare njerëzore.”
Beridsha tha se thirrjet e protestuesve për burgosjen e tij nuk e ndalojne forcën politike që ai drejton të jetë krahë të rinjve.
“Kurse thirrjet, e kam theksuar dhe theksoj, ato thirrje as nuk e kanë penguar dhe as nuk do ta pengojnë kurrë Partinë Demokratike për t’i dhënë mbështetjen më të fuqishme protestës dhe do thoni ju pse? Së pari, do të ishte tradhti e lartë po të mos mbështesje ata të rinj në idealet, ëndrrat, sakrificat e tyre”, tha kryedemokrati.
Lideri i opozitës kujtoi se Partia Demokratike depozitoi në parlament kërkesën për mocion me debat për protesat, por që u rrëzua nga mazhoranca.






