Policia e Kosovës ka njoftuar për tri raste të ndara të cilat po hetohen si “Hetim i vdekjes”, të regjistruara në Suharekë, Mitrovicën e Jugut dhe Podujevë. Në njërin prej rasteve, viktima dyshohet se ka humbur jetën pasi është goditur nga rrufeja.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, në Suharekë më 1 korrik 2026 është raportuar vdekja e një burri.
“Lidhur me rastin, vdekjen e viktimës mashkull kosovar i cili dyshohet se është goditur nga rrufeja e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet për obduksion në IML-Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë, një rast tjetër është regjistruar në Mitrovicën e Jugut, ku një gruaje i është përkeqësuar gjendja shëndetësore derisa ndodhej në shtëpinë e saj. Ajo është dërguar për trajtim në Emergjencë, por nuk ka arritur të mbijetojë.
“Është raportuar se viktima femër kosovare derisa ishte në shtëpi i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe më pas është dërguar në emergjencë, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e saj. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion”, njofton Policia.
Po ashtu, në Podujevë është raportuar gjetja e trupit të pajetë të një burri.
“Lidhur me rastin është gjetur trupi i pajetë i viktimës mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në të tri rastet janë iniciuar hetime, ndërsa rezultatet e obduksioneve në Institutin e Mjekësisë Ligjore pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të vdekjeve.






