Gabuan penalltitë në eliminimin ndaj Marokut, Holanda denoncon sulmet raciste ndaj tre lojtarëve

featured
Press Online
01 Korrik 2026, 17:10

Federata Holandeze e Futbollit (KNVB) ka denoncuar zyrtarisht një valë mesazhesh raciste të drejtuara ndaj lojtarëve Justin Kluivert, Quinten Timber dhe Crysencio Summerville, pas humbjes me penallti ndaj Marokut që solli eliminimin e Holandës nga Kupa e Botës.

Sipas federatës, lojtarët janë bërë objekt i komenteve diskriminuese në rrjetet sociale, përfshirë edhe ofendime raciste dhe krahasime fyese, pas gabimeve të tyre nga pika e bardhë e penalltisë. Për shkak të situatës, disa prej futbollistëve kanë çaktivizuar komentet në profilet e tyre në Instagram.

KNVB e ka dënuar ashpër këtë sjellje, duke theksuar se racizmi dhe diskriminimi “nuk kanë vend as në futboll, as në internet dhe as në shoqëri”. Raste të tilla janë referuar gjithashtu tek një organ i specializuar kundër diskriminimit, i cili po shqyrton çdo mesazh individualisht dhe mund të ngrejë kallëzime penale në rastet më të rënda.

Autoritetet holandeze kanë paralajmëruar se, në varësi të përmbajtjes, disa raste mund të kalojnë në polici, ndërsa platformat e rrjeteve sociale mund të detyrohen të heqin përmbajtjet fyese.

Federata ka rikujtuar se ka vite që zhvillon fushata kundër racizmit në futboll, duke theksuar se ky fenomen mbetet një problem serioz në rrjetet sociale pas ndeshjeve të mëdha.

Ngjarja ka sjellë edhe reagime politike dhe shoqërore në Holandë, me thirrje për masa më të forta kundër gjuhës së urrejtjes online.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter