Me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtje dhe shpëtim parashihet avancimi dhe saktësimi i kornizës ekzistuese ligjore, me qëllim rritjen e efikasitetit të sistemit, parandalim më të mirë dhe veprim më të shpejtë e më të koordinuar gjatë rreziqeve, fatkeqësive dhe katastrofave.
Një nga ndryshimet kryesore ka të bëjë me trajnimet për mbrojtje dhe shpëtim. Deri më tani, ato realizoheshin ekskluzivisht përmes Qendrës për aftësim dhe trajnim në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, gjë që vlerësohet si kufizim në shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve profesionale dhe teknike në shtet, përcjell PressOnline.al.
Me zgjidhjet e reja hapet mundësia që trajnime të realizojnë edhe persona të tjerë juridikë, por vetëm nëse marrin autorizim nga Drejtoria dhe i plotësojnë kushtet për hapësirë, pajisje, kuadër profesional dhe programe trajnimi. Qëllimi është të rritet qasja dhe fleksibiliteti i trajnimeve, veçanërisht në kontekstin e zjarreve gjithnjë e më të shpeshta, ndryshimeve klimatike dhe fatkeqësive tekniko-teknologjike.
Me ndryshimet ligjore vendoset edhe një definicion i ri për “rrezik të drejtpërdrejtë”, si dhe saktësim i nocioneve me qëllim qartësi më të madhe juridike.
Zgjerohet edhe përfshirja e ligjit në pjesën e ruajtjes së mjeteve shpërthyese të pashpërthyera, me çka plotësohet zbrazëtira ekzistuese juridike dhe forcohet sistemi i sigurisë.
“Rrezik i drejtpërdrejtë është një dukuri, proces ose gjendje në të cilën, në bazë të informacioneve të disponueshme dhe vlerësimeve të kryera, ekziston probabilitet real dhe konkret që brenda një periudhe të shkurtër kohore të ndodhë një ngjarje e dëmshme që mund të rrezikojë jetën dhe shëndetin e njerëzve, botën shtazore dhe bimore, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin jetësor”, thuhet në zgjidhjen ligjore të dorëzuar në Kuvend.
Ndryshime të rëndësishme ka edhe në pjesën e mbikëqyrjes inspektuese, ku bëhet harmonizimi me Ligjin për mbikëqyrje inspektuese. Me këtë përcaktohet organizim më i qartë dhe kompetenca më të sakta për inspektorët, si dhe mënyra e veprimit të tyre, me qëllim siguri më të madhe juridike.
Inspektorët marrin autorizime të saktësuara edhe në rastet e rrezikut të drejtpërdrejtë, përfshirë mundësinë për ndalim të shfrytëzimit të objektit ose një pjese të tij, si dhe vulosjen e tij. Në rastet e parregullsive serioze që nuk paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë, por mund të çojnë në rrezik, parashihet edhe mundësia për ndalim të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarisë.
Propozim-ligji i harmonizon edhe dispozitat kundërvajtëse me Ligjin për kundërvajtje. Theksohet se për kundërvajtje të caktuara procedurë udhëheq dhe sanksione shqipton gjykata kompetente, ndërsa për kundërvajtje më të lehta mund të veprojë edhe organi kundërvajtës, në kuadër të kufijve të përcaktuar ligjorë.
Në arsyetim thuhet edhe se gjobat ekzistuese në Ligjin për mbrojtje dhe shpëtim, në pjesën e kundërvajtjeve, i tejkalojnë kufijtë e lejuar ligjorë për veprim nga komisioni kundërvajtës pranë Drejtorisë, për çka nevojitet harmonizimi i tyre.
Gjithashtu rikujtohet se Ligji për kundërvajtje parasheh obligim që të gjitha ligjet e tjera të harmonizohen me të, që është edhe një nga arsyet për këto ndryshime.
Në praktikë, ndryshimet lidhen edhe me rritjen e rreziqeve nga zjarret gjatë periudhës së verës, kur kapacitetet ekzistuese të sistemit për mbrojtje dhe shpëtim nuk janë gjithmonë të mjaftueshme. Për këtë arsye parashihet fleksibilitet më i madh përmes përfshirjes së personave shtesë të trajnuar në situata krize.
“Duke u nisur nga fakti se në vitet e fundit, sidomos gjatë muajve të verës kur rreziku nga zjarret është i rritur, kapacitetet ekzistuese të forcave për mbrojtje dhe shpëtim nuk janë gjithmonë të mjaftueshme për përballje në kohë dhe efikase me të gjitha ndërhyrjet. Për më tepër, shpallja e gjendjes së krizës sjell nevojën për rritje të konsiderueshme të resurseve njerëzore. Kjo krijon nevojë për vendosjen e një mekanizmi fleksibil për përfshirjen e përkohshme të personave të aftësuar dhe me përvojë, të cilët mund të kontribuojnë në parandalimin dhe shuarjen e zjarreve. Me këto ndryshime dhe plotësime përmirësohet sistemi për mbrojtje dhe shpëtim, rritet efikasiteti i shërbimeve inspektuese, përmirësohet parandalimi i rreziqeve, si dhe rritet niveli i mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të qytetarëve, pronës, trashëgimisë kulturore dhe mjedisit jetësor”, sqarohet në ligj.
Me ndryshimet, institucionet kompetente presin të forcohet sistemi për mbrojtje dhe shpëtim, të përmirësohet parandalimi, mbikëqyrja inspektuese dhe koordinimi gjatë ndërhyrjeve, si dhe të rritet niveli i mbrojtjes së qytetarëve, pronës dhe mjedisit jetësor. (PressOnline.al)







