Maqedoni, pacientët me kancer presin deri në 12 orë për terapi

featured
Press Online
27 Qershor 2026, 13:19

Pacientët me kancer që trajtohen në Klinikën Universitare të Radiologjisë dhe Onkologjisë në Shkup vazhdojnë të përballen me pritje të gjata për marrjen e terapisë, ndërsa mbingarkesa e sistemit po rëndon edhe më tej gjendjen e tyre.

Shumë pacientë udhëtojnë nga qytete të ndryshme të vendit drejt Shkupit, pasi radioterapia ofrohet vetëm në kryeqytet. Disa prej tyre thonë se janë të detyruar të presin deri në 12 orë për të marrë terapinë, ndërsa radhët fillojnë që në orët e para të mëngjesit.
“Problemi nuk janë mjekët, por sistemi dhe mungesa e organizimit. Do të ishte shumë më mirë nëse do të hapeshin qendra edhe në pjesën lindore dhe perëndimore të vendit”, tha një paciente.

Edhe Shoqata për mbështetjen e pacientëve me kancer “EZRA” vlerëson se sistemi shëndetësor ndodhet në një situatë alarmante. Drejtoresha ekzekutive e shoqatës, Liridona Beqiri, theksoi se pritjet e gjata nuk janë vetëm problem organizativ, por tregues i dështimit të sistemit në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Ndërkohë, Enti Shtetëror i Revizionit ka rekomanduar decentralizimin e trajtimit onkologjik, me qëllim uljen e pritjeve dhe lehtësimin e pacientëve që udhëtojnë nga qytetet e tjera.

Sipas drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Igor Stojkovski, vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar rreth 5.500 pacientë të rinj me kancer, ndërsa klinika realizon rreth 38.000 deri në 39.000 aplikime të terapive onkologjike në vit.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter