Projekti “Qyteti i Sigurt” po zbatohet edhe në rajonin e Ohrit.
SPB Ohër njofton opinionin, posaçërisht drejtuesit e automjeteve, se nga sot sistemi bashkëkohor për mbikëqyrje të trafikut “Qyteti i Sigurt” (Safe City), i cili zyrtarisht nisi më 1 shkurt 2026, gradualisht po vendoset edhe në territorin e SPB Ohër.
“Sot, pas testimit final, ekipet profesionale i vendosën në funksion kamerat e sigurisë në segmentin e autostradës te Novo Sellës, komuna e Debërcës. Në periudhën në vijim pritet që projekti “Qyteti i Sigurt” të funksionalizohet edhe në aksin rrugor mes fshatrave Gorencë dhe Trebenishtë, në rrugët e tjera më të frekuentuara dhe në korridoret 8 dhe 10 në territorin e SPB Ohër” – thuhen në njoftimin e SPB Ohër, përcjell PressOnline.al.
Pajisjet janë vendosur, por ato ende nuk kryejnë sanksionime, pasi ndodhen në fazën e kontrollit dhe testimit përfundimtar teknik. Sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ do të mundësojë kontroll të përforcuar dhe të vazhdueshëm të trafikut, do të kontribuojë në uljen e aksidenteve rrugore, do të bëjë detektimin e kundërvajtjeve në trafik, do të rrisë disiplinën në komunikacion dhe do të sigurojë një nivel dukshëm më të lartë të sigurisë rrugore.
Apelojmë që drejtuesit e automjeteve t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat e komunikacionit, ndërsa në veçanti të kenë kujdes për shpejtësinë e lejuar të lëvizjes, e cila në këtë segment autostrade është 100 kilometra në orë”, thonë nga policia.
Projekti fillimisht nisi në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë. (PressOnline.al)







