Mbi 35 mijë përdorues të drogave në Kosovë, mosha mesatare bie në 16 vjeç

featured
Press Online
26 Qershor 2026, 10:28

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Drogat dhe Trafikimit të Paligjshëm, KOMF dhe organizata Labyrinth kanë bërë thirrje për adresim urgjent të situatës dhe veprim të koordinuar institucional për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga përdorimi i substancave narkotike.

Në komunikatën e përbashkët për media, theksohet se Kosova po përballet me sfida serioze në parandalimin dhe trajtimin e fëmijëve viktima të abuzimit me drogë.

Sipas të dhënave të prezantuara nga KOMF dhe Labyrinth, vlerësohet se numri i përgjithshëm i përdoruesve të substancave narkotike në vend ka kaluar shifrën prej 35 mijë, ndërsa çdo vit në këtë grup përfshihen gjithnjë e më shumë fëmijë dhe adoleshentë.

Gjithashtu, bazuar në të dhënat e Labyrinth, mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogës ka rënë nga 18 vjeç në vitin 2018 në rreth 16 vjeç në periudhën e fundit.

“Marihuana vazhdon të jetë substanca më e përdorur në Kosovë. Përderisa deri në vitin 2018 ka pasur një ulje të përdorimit të heroinës tek popullata e përgjithshme, gjatë viteve të fundit vërehet një rritje e lehtë e përdorimit të heroinës, veçanërisht te komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa ka një rritje të shpejtë të përdorimit të kokainës tek popullata e përgjithshme”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, faktorët që çojnë fëmijët drejt përdorimit të drogave janë të shumtë, përfshirë disponueshmërinë e substancave në treg, traumat në fëmijërinë e hershme, mungesën e informacionit për rreziqet, presionin shoqëror dhe kureshtjen.

Po ashtu, në komunikatë theksohet se përdorimi i drogave sjell pasoja të rënda për shëndetin fizik dhe psikologjik të fëmijëve, për familjet e tyre, si dhe pasoja sociale, përfshirë rritjen e kriminalitetit dhe vështirësi ekonomike.

“Vendi ynë vazhdon të mos sigurojë shërbime dhe programe të strukturuara dhe të qëndrueshme parandaluese dhe rehabilituese, të cilat janë të domosdoshme duke parë trendet në rritje të përdorimit të drogave nga fëmijët dhe adoleshentët. Kosova nuk ofron mjaftueshëm shërbime të qasshme për identifikimin e hershëm të fëmijëve dhe të rinjve që janë viktima të abuzimit me substanca narkotike”, thuhet më tej.

Në komunikatë theksohet gjithashtu mungesa e ekipeve mobile dhe shërbimeve komunitare, si dhe mungesa e kapaciteteve profesionale dhe multidisiplinare për trajtimin e rasteve.

“Profesionistët përballen me sfida të mëdha në trajtimin e fëmijëve viktima të abuzimit me droga, duke mos pasur burime të mjaftueshme, ekipe multidisiplinare dhe reparte të specializuara për rehabilitim. Po ashtu, mungojnë mekanizmat për mbështetjen e prindërve në trajtimin e fëmijëve të tyre”, thuhet në komunikatë.

Për të adresuar këtë situatë, KOMF dhe Labyrinth kërkojnë masa urgjente, përfshirë rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet e përdorimit të drogave, zhvillimin e programeve parandaluese dhe trajtuese, si dhe forcimin e shërbimeve të specializuara për fëmijët dhe të rinjtë.

Po ashtu, ata theksojnë nevojën për fuqizimin e prindërve dhe krijimin e mekanizmave më të qëndrueshëm institucionalë për parandalimin dhe trajtimin e varësisë nga substancat narkotike.

/GazetaSinjali/

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter