Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar sulmin ndaj ekipit të TV Dukagjinit, i cili u pengua gjatë kryerjes së detyrës në Gjilan.
AGK-ja e ka cilësuar incidentin si pengim me forcë të ushtrimit të profesionit të gazetarit dhe sulm ndaj lirisë së medias në Kosovë.
Në reagimin e saj, AGK-ja i ka bërë thirrje Komunës së Gjilanit, si institucion përgjegjës për projektin, që të distancohet nga veprimi i punonjësit, ndërsa ka kërkuar nga organet e sigurisë dhe drejtësisë që të veprojnë shpejt për ta identifikuar dhe mbajtur përgjegjës autorin e sulmit.
“Gazetarët duhet të lihen të lirë për ta kryer punën e tyre në interes të publikut”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Kujtojmë se gazetarja Blerta Zuka dhe kameramani Enkelej Shaljani, janë sulmuar gjatë kryerjes së detyrës profesionale.
Ekipi i TV Dukagjinit ishte duke realizuar një kronikë lidhur me punimet që po zhvillohen në sheshin e qytetit, kur është penguar dhe sulmuar nga një punonjës i kompanisë që është e angazhuar në realizimin e këtyre punimeve.







