Asambleisti i LDK-së në Gjilan, Gentrit Murseli, ka reaguar ndaj drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit nga radhët e VV-së, Kushtrim Ibrahimi, duke e akuzuar se po i mashtron qytetarët lidhur me çështjen e lejes ndërtimore për Bulevardin e Qytetit.
Debati për lejen ndërtimore të Bulevardit të Qytetit në Gjilan është hapur në emisionin FIVE të TV Dukagjinit, ku Murseli, i ka kërkuar drejtorit të Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimi, ta publikojë dokumentin, pas së cilës ai e ka publikuar në Facebook.
Por, sipas Murselit, dokumenti i publikuar nga Ibrahimi nuk dëshmon ekzistencën e lejes për ndërtimin e bulevardit, por i referohet një projekti tjetër, ndërtimit të objektit të Administratës Komunale.
“Drejtori i Shërbimeve Publike në Gjilan Kushtrim Ibrahimi, përmes postimit të tij të fundit ka dëshmuar se ose nuk është i informuar për çështjen që po mbron, ose po tenton qëllimisht ta dezinformojë opinionin publik”, ka shkruar Murseli në Facebook.
Ai thekson se dokumenti i prezantuar nga Ibrahimi “nuk është leje për Bulevardin e Qytetit”, por vetëm leje ndërtimore për objektin e Komunës me etazhitet “B+P+5”.
“Në përpjekje për t’i hedhur poshtë pretendimet e mia se ndërtimi i Bulevardit të Qytetit nuk ka leje, ai në fakt vetëm i ka vërtetuar ato”, ka shtuar Murseli.
https://www.youtube.com/watch?v=9fxCb_VA1S4







