Vera sapo ka filluar, ndërsa shumica e sipërfaqeve të gjelbra nëpër qytet tashmë janë zverdhur dhe tharë. Parku i Qytetit, i cili deri para një jave kishte bar të gjelbër, u tha pas disa ditëve të nxehta, shkruan Sloboden Peçat, përcjell PressOnline.al.
Qytetarët nga lagje të ndryshme të Shkupit për Sloboden Peçat theksojnë se situata është e njëjtë kudo – nëpër parqe, në Kejin e Vardarit dhe në sipërfaqet ndërmjet ndërtesave.
“Të gjitha parqet janë të tilla në gjithë komunën. Për këtë janë kompetentë ‘Parqe dhe Gjelbërim’ dhe pothuajse në çdo park kanë vendosur spërkatëse, por nuk është e qartë pse nuk i lëshojnë. Duket se presin të ndodhë ndonjë zjarr dhe pastaj t’i fajësojnë qytetarët për pakujdesi”, reagon një banor i komunës Aerodrom.
Kjo gjendje përsëritet prej vitesh në qytet sapo rriten temperaturat. Ndërkohë, autoritetet lokale dhe NP “Parqe dhe Gjelbërim” vazhdimisht pohojnë se sipërfaqet publike të gjelbra mirëmbahen rregullisht, kositen dhe ujiten. Por, nëse ujiten rregullisht, është e pamundur që gjelbërimi të jetë i tharë, ndërsa menjëherë vërehet se ku kjo gjë bëhet realisht. Kështu, parku “Zhena Borec” këto ditë është i gjelbër, edhe pse gjithçka përreth tij është e djegur nga dielli, sepse spërkatëset me ujë janë të lëshuara gjatë gjithë ditës.
Qytetarët që shëtisin dhe rekreohen përgjatë Vardarit nuk e kanë këtë kënaqësi të shohin rreth vetes sipërfaqe të gjelbra, sepse ndihen sikur po ecin mes arave me grurë të korrur.
Gjendja në Kejin e Vardarit ndoshta më së miri u pa nga një postim i fundit në Facebook i kryetarit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ku ai u lavdërua se “një nga vendet më të bukura dhe më të vizituara në Shkup, hapësira ku mijëra shkupjanë çdo ditë ecin, sportojnë, rekreohen dhe kalojnë kohë me familjet e tyre”, po rregullohet me pajisje të reja urbane.
Siç tha Gjorgjievski, janë vendosur banka të reja dhe kosha për mbeturina, me çka keji bëhet më i këndshëm, më i pastër dhe më funksional për të gjithë qytetarët. Njëkohësisht, ai paralajmëroi se do të vazhdojë mirëmbajtja e rregullt e kej-it, por në videon që publikoi mund të vërehej se gjithçka ishte e zverdhur, ndërsa punëtorët dukeshin sikur po punonin në arë, duke kositur dhe grumbulluar bar të thatë.
Qytetarët që në atë moment ndodheshin në kej pyesnin pse po kositet kur gjithçka është e tharë.
“Rastësisht u gjenda në kej kur po punonin ekipet e ‘Parqeve’. Në vend që të ujitin, ata lejuan që gjithçka të thahet. Për çfarë po kositin tani? Vetëm po ngrihet pluhur i tmerrshëm. Dhe nuk është vetëm në kej kështu! Ja, edhe parku u zverdh. Ku janë spërkatëset e tyre, a nuk është turp dhe gjynah të lejohet që të mos mbetet asgjë e gjelbër”, reagoi një qytetar për Sloboden Peçat.
Lidhur me vërejtjet e qytetarëve dhe pyetjet tona pse tani kositet kur bari është i tharë dhe pse nuk ujiten rregullisht sipërfaqet e gjelbra në këto temperatura të larta, madje as bari në Parkun e Qytetit, nga Qyteti i Shkupit thonë se kujdesen rregullisht për gjelbërimin, ndryshe nga më parë.
“Qyteti i Shkupit kujdeset vazhdimisht për mirëmbajtjen e më shumë se 17 milionë metrave katrorë sipërfaqe të gjelbra, të cilat rregullisht kositen dhe ujiten. Për dallim nga gjendjet në të kaluarën, kur në shumë lokacione nëpër qytet gjelbërimi ishte i lënë pas dore. Pas marrjes së mandatit, sistemet për ujitje në lokacione kyçe, si Keji i Vardarit dhe Parku i Qytetit, ishin në gjendje jashtëzakonisht të keqe. Me ndërhyrje dhe investime në kohë, ato sisteme u sanua dhe u vunë në funksion, gjë që mundëson kujdes më efikas për sipërfaqet e gjelbra dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor”, pohojnë nga Qyteti.
Në lidhje me atë se pse nuk ka spërkatëse në Parkun e Qytetit, ku ujitja bëhet me ujë teknik, nga Qyteti nuk japin përgjigje të saktë, por thonë se në të gjitha pjesët e qytetit ku ekziston rrjet funksional hidrantësh, ekipet e NP “Parqe dhe Gjelbërim” kryejnë ujitje të rregullt në periudhën nga ora 22:00 deri në 6:00 të mëngjesit.
“Për më tepër, gjatë këtij mandati është paraparë që i gjithë gjelbërimi i qytetit gradualisht të mbulohet me sistem pusesh me ujë teknik. Me këtë zgjidhje do të sigurohet një mënyrë e qëndrueshme dhe ekonomike e ujitjes, do të zvogëlohet konsumi i ujit të pijshëm dhe do të krijohen kushte më të mira për zhvillimin dhe ruajtjen e sipërfaqeve të gjelbra në qytet”, theksojnë prej atje.
Deri atëherë, mbetet të shpresojmë për më shumë reshje shiu, por edhe për angazhim më të madh jo vetëm të ekipeve të “Parqe dhe Gjelbërim”, por edhe të komunave për ujitjen e sipërfaqeve të gjelbra që janë në kompetencë të tyre. (PressOnline.al)







