Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut e ka thirrur dje në takim ambasadorin e Bullgarisë, lidhur me publikimin në opinion të një dokumenti – notë diplomatike që përmbante informacione për anëtarët e familjes së kryeministrit, të cilët kishin udhëtuar në Bullgari. Këtë e bëri të ditur sot në një konferencë për media ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski. Ai tha se deri në këtë moment, as nga ambasadori bullgar dhe as nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë nuk kanë marrë ndonjë shpjegim për këtë lëshim diplomatik, përcjell PressOnline.al.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mucunski e cilësoi këtë veprim si një mënyrë absolutisht të papranueshme komunikimi ndërmjet dy shteteve dhe kërkoi kërkimfalje, si dhe reagim të shpejtë nga institucionet bullgare për zbardhjen e rastit.
“Kur bëhet fjalë për lëvizjet e anëtarëve të familjeve të funksionarëve të lartë shtetëror, siguria është prioritet absolut. Edhe në territorin e shtetit tonë shpesh lëvizin familje të përfaqësuesve të huaj të lartë ose vetë përfaqësuesit e huaj, madje edhe në cilësi private, por kurrë nuk ka ndodhur që një dokument i tillë të bëhet publik. Po të ndodhte një gjë e tillë, hapi i parë që do të bëja si ministër do të ishte t’i kërkoja falje shtetit përkatës, sepse kjo do të nënkuptonte se institucioni ynë nuk ka pasur nivel të mjaftueshëm të mbrojtjes së sigurisë. Ajo që më shqetëson edhe më shumë është se janë publikuar të dhëna personale që kanë të bëjnë me bashkëshorten dhe fëmijën e mitur të kryeministrit. Kemi kërkuar informacione dhe kemi biseduar edhe me partnerët tanë strategjikë, pasi jemi seriozisht të shqetësuar për papërgjegjshmërinë që çoi në këtë situatë”, deklaroi Mucunski.
Ai kujtoi edhe incidentin e fundit para Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, ku u dogjën dy automjete diplomatike, duke theksuar se institucionet maqedonase reaguan menjëherë.
“Ne e dënuam publikisht incidentin menjëherë, institucionet vepruan në kohë rekord dhe unë bashkë me zëvendësministrin komunikuam menjëherë me përfaqësuesit e Bullgarisë. Minimumi që prisnim ishte një qasje po aq proaktive nga ana e tyre. Meqenëse kjo nuk ndodhi, kërkuam takim, ambasadori bullgar u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme, shprehëm pakënaqësinë tonë të thellë dhe vlerësuam se një veprim i tillë dëmton marrëdhëniet mes dy vendeve. Kërkuam shpjegim se si ndodhi ky incident dhe presim jo vetëm sqarime, por edhe një hetim të plotë. Edhe sipas së drejtës ndërkombëtare, një gjë e tillë është e papranueshme në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, pavarësisht nëse kanë apo jo tensione politike. Ka shtete që janë në luftë me njëra-tjetrën dhe dokumente të tilla nuk publikohen”, theksoi shefi i diplomacisë.
Mucunski nuk tregoi drejtpërdrejt se nga kishte rrjedhur dokumenti, por duke folur në mënyrë hipotetike, la të kuptohet se përgjegjësia mund të jetë te Ministria e Jashtme e Bullgarisë.
“Hipotetikisht, nëse një dokument i tillë do të dilte nga një ministri e Punëve të Jashtme dhe do të kishte të bënte me familjen e një përfaqësuesi të një shteti tjetër, unë do të kërkoja falje. Ky do të ishte hapi im si ministër. Gabime mund të ndodhin në çdo institucion, por në një rast të tillë unë do të kërkoja falje”, tha ai.
Sipas tij, ekziston një rrjet i organizuar aktivitetesh në faqet online, rrjetet sociale, rrjetet e botëve dhe portale të ndryshme, të cilat nuk merren më vetëm me sulme ndaj përfaqësuesve të qeverisë si individë, por gjithnjë e më shumë edhe ndaj familjeve të tyre.
“Rasti më i fundit është publikimi i notës verbale diplomatike, ku u publikuan informacione për një anëtar të mitur të familjes së kryeministrit. Më parë janë përhapur edhe lajme të rreme se gjyshi im kishte qenë ushtar bullgar. Janë të njëjtat portale që shpërndajnë këto dezinformata. Po ndërtohen narrativa përmes një rrjeti të tërë që synon familjet tona. Ne jemi mësuar me sulmet ndaj nesh, por të paktën le t’i lënë të qeta familjet tona”, deklaroi ministri.
Kujtojmë se kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur dje një pyetjeje të gazetarëve nëse pret ndryshim në marrëdhëniet me Bullgarinë, akuzoi se raportet ndërmjet dy vendeve po radikalizohen. Si arsye për këtë ai përmendi publikimin e një note diplomatike që kishte të bënte me qëndrimin disa ditor të bashkëshortes dhe djalit të tij të vogël në Pamporovo të Bullgarisë, në fillim të këtij viti.
Mickoski shtoi se për rastin ka informuar tashmë partnerët e Maqedonisë së Veriut në NATO, pasi, sipas tij, publikimi i kësaj note diplomatike ka rrezikuar sigurinë e familjes së tij. Ai u kërkoi falje bashkëshortes dhe djalit të vogël për situatën që u është dashur të përballojnë.
Nota diplomatike për të cilën foli Mickoski është një dokument i datës 6 janar, me të cilin Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Sofje e njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë se bashkëshortja e kryeministrit dhe njëri nga djemtë e tij do të udhëtonin më 8 janar drejt Pamporovos.
Ky dokument diplomatik u publikua javën e kaluar në rrjetet sociale.
Sipas dokumentit, i publikuar nga grupi “Grubovci, Enixhe Vardar – Rodna Makedonija”, në të, përveç datës së udhëtimit, ishin të shënuara edhe ora e përafërt e kalimit të kufirit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, si dhe detaje të sigurimit të familjes së kryeministrit – emrat e pjesëtarëve të sigurimit, automjetet me të cilat udhëtonin, pajisjet e komunikimit dhe armatimi që mbanin me vete.
Pas deklaratës së Mickoskit, Sloboden Peçat i drejtoi pyetje shtesë Qeverisë, duke kërkuar të dijë se nga cilat burime ka rrjedhur dokumenti, nëse ai ka dalë nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë, kush e ka informuar NATO-n dhe çfarë përmbante reagimi i dërguar në Aleancë. Megjithatë, Qeveria nuk dha përgjigje për këto pyetje, përcjell PressOnline.al.
“Nuk kemi asgjë shtesë për të shtuar përtej deklaratës së kryeministrit”, u përgjigj zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva. (PressOnline.al)


