VMRO-DPMNE merr Shëndetësinë, Politikën Sociale dhe me gjasë edhe Drejtësinë – VLEN fiton një resor më shumë

featured
Press Online
24 Qershor 2026, 12:34

Do të ketë rotacion të resorëve qeveritar mes partnerëve të koalicionit, ndërsa emra të rinj pritet të ketë në të paktën shtatë ose tetë ministri. Ky është epilogu i bisedimeve të mbrëmshme mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it lidhur me rikonstruimin e Qeverisë, i cili, sipas paralajmërimeve, duhet të përfundojë deri në fillim të muajit të ardhshëm.

Burime nga koalicioni qeverisës, të mirëinformuara për negociatat, kanë deklaruar për Fokus se ekziston një marrëveshje parimore mes dy palëve, sipas së cilës VLEN do të heqë dorë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa në këmbim do të marrë nga VMRO-DPMNE-ja Ministrinë e Kulturës, Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, si dhe Ministrinë e Sportit, përcjell PressOnline.al.

Kjo do të nënkuptonte një resor më shumë për partnerin shqiptar në qeveri. Nëse kjo marrëveshje konfirmohet në variantin përfundimtar të rikonstruimit, atëherë nga Qeveria do të largohen përfundimisht Zoran Ljutkov, Borko Ristovski, Ivan Stoilkoviq, si dhe Fatmir Limani, për të cilin prej kohësh ishte bërë e ditur se nuk do të jetë më pjesë e kabinetit qeveritar.

Të njëjtat burime për Fokus shtojnë se është shumë e mundur që të rikonstruohet edhe Ministria e Drejtësisë. Sipas këtij skenari, ministri aktual Igor Fillkov do të largohet, resori do t’i kalojë VMRO-DPMNE-së, ndërsa partisë ZNAM do t’i ofrohet Ministria e Bujqësisë si kompensim. Nëse kjo realizohet, atëherë nga posti ministror do të largohet edhe Cvetan Tripunovski, krahas ministrave të përmendur më sipër, përcjell PressOnline.al.

Më herët, dorëheqje nga posti i Zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë kishte dhënë edhe Arben Fetai.

Nëse këto informacione jozyrtare konfirmohen, atëherë rikonstruimi i Qeverisë do të marrë dy drejtime. Së pari, ai do të jetë shumë më i thellë, pasi do të ndryshohet më shumë se një e treta e përbërjes aktuale të kabinetit qeveritar, çka nënkupton se në Kuvend propozimi do të votohet si zgjedhje e një qeverie të re.

Së dyti, VMRO-DPMNE do të forcojë më tej pozitat e saj në pushtetin ekzekutiv, pasi do të marrë nën kontroll ministri që konsiderohen më të rëndësishme, si Shëndetësia, Politika Sociale dhe, me shumë gjasa, Drejtësia, ndërsa do të lëshojë resorë që konsiderohen më pak të rëndësishëm, si Kultura, Sporti, Bujqësia dhe Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive.

Kjo mund të interpretohet edhe si një sinjal se partia po heq dorë nga ideja për zgjedhje të parakohshme vitin e ardhshëm dhe synon të arrijë rezultate sa më pozitive deri në fund të mandatit aktual katërvjeçar.

Megjithatë, për t’u konfirmuar të gjitha këto informacione jozyrtare nevojitet edhe pëlqimi i partnerit të tretë të koalicionit qeverisës – ZNAM-it.

Sipas informacioneve të Fokus, sot në orën 18:00, në selinë e ZNAM-it është planifikuar një takim mes drejtuesve të ZNAM-it dhe VMRO-DPMNE-së, të udhëhequr nga liderët Hristijan Mickoski dhe Maksim Dimitrievski. Në takim pritet të marrin pjesë edhe ministrat Timço Mucunski dhe Vlado Misajllovski nga VMRO-DPMNE, si dhe Goran Minçev, Vesna Bendevska dhe Pavle Arsovski nga ZNAM, përcjell PressOnline.al.

Nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare mes partnerëve të koalicionit, ajo pritet të miratohet nga organet partiake të të gjitha partive pjesëmarrëse në qeveri, me shumë gjasë gjatë fundjavës. Më pas, në fillim të javës së ardhshme, propozimi zyrtar, së bashku me emrat e rinj për ministra, do t’i dorëzohet Kuvendit. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter