Bashkimi Evropian ka bërë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të valutës së vet digjitale, një projekt që mund të ndryshojë ndjeshëm mënyrën e pagesave në eurozonë dhe të zvogëlojë varësinë nga gjigantët amerikanë të pagesave “Visa” dhe “Mastercard”. Komiteti për Çështje Ekonomike dhe Monetare i Parlamentit Evropian i dha dritën jeshile euros digjitale, duke hapur rrugën për negociatat përfundimtare politike, të cilat pritet të përfundojnë deri në fund të këtij viti, përcjell PressOnline.al.
Pas kësaj nisme nuk qëndron vetëm modernizimi teknologjik i sistemit financiar evropian. Në Bruksel gjithnjë e më shumë flitet për nevojën që Evropa të forcojë pavarësinë e saj financiare në një kohë tensionesh gjeopolitike në rritje dhe marrëdhëniesh të pasigurta me Shtetet e Bashkuara. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore Evropiane, kompanitë amerikane “Visa” dhe “Mastercard” kontrollojnë rreth 61 për qind të pagesave me kartela në eurozonë dhe pothuajse të gjitha transaksionet ndërkufitare me kartela.
Euroja digjitale do të funksiononte si një portofol elektronik i garantuar nga Banka Qendrore Evropiane, duke u mundësuar qytetarëve të kryejnë pagesa si në internet, ashtu edhe në dyqanet fizike. Ndryshe nga kriptovalutat, bëhet fjalë për para zyrtare të bankës qendrore, të mbështetura plotësisht nga BQE-ja. Qëllimi nuk është të zëvendësohen paratë e gatshme apo llogaritë bankare, por të ofrohet një mënyrë shtesë për kryerjen e pagesave.
Banka Qendrore Evropiane do të sigurojë infrastrukturën bazë, ndërsa bankat komerciale dhe kompanitë fintech do t’i ofrojnë shërbimet për klientët. Pagesat pritet të jenë falas për qytetarët, ndërsa tarifat për tregtarët do të jenë më të ulëta krahasuar me kostot aktuale të transaksioneve me kartela.
Çështja se si do të kompensohen bankat dhe pjesëmarrësit e tjerë në sistem mbetet një nga temat më të ndjeshme të negociatave. Banka Qendrore Evropiane vlerëson se ngritja e sistemit do të kushtojë nga katër deri në gjashtë miliardë euro gjatë një periudhe katërvjeçare.
Për të parandaluar transferimin masiv të parave nga llogaritë bankare në euro digjitale, eurodeputetët kanë propozuar vendosjen e një kufiri për shumën që çdo qytetar mund të mbajë në portofolin digjital. Kufiri përfundimtar ende nuk është përcaktuar, por sipas simulimeve të BQE-së, një limit prej 3.000 eurosh për person mund të çojë në tërheqjen e deri në 699 miliardë eurove nga bankat në eurozonë.
Një garanci shtesë është se euroja digjitale nuk do të gjenerojë interes, çka do të thotë se nuk do të përbëjë konkurrencë të drejtpërdrejtë për depozitat klasike bankare. Ndërkohë, kompanive nuk do t’u lejohet të mbajnë euro digjitale për më shumë se 24 orë.
Banka Qendrore Evropiane ka paralajmëruar se në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm do të nisë një projekt pilot njëvjeçar dhe, nëse të gjitha procedurat zhvillohen sipas planit, euroja digjitale mund të bëhet realitet në vitin 2029.
Ndërsa Evropa përshpejton këtë projekt, gara globale për valutat digjitale tashmë është në zhvillim. Kina prej kohësh po teston juanin digjital në shkallë të gjerë, Rusia ka njoftuar se rubla digjitale do të bëhet funksionale në shtator të vitit 2026, ndërsa India dhe Brazili po zhvillojnë gjithashtu programe pilot. Shtetet e Bashkuara, për momentin, kanë zgjedhur një qasje tjetër. Administrata e Donald Trump ka pezulluar planet për dollarin digjital dhe është orientuar drejt mbështetjes së kriptovalutave private të qëndrueshme (stablecoins), të lidhura me dollarin amerikan.
Pikërisht për këtë arsye, për shumë njerëz në Evropë, euroja digjitale nuk është vetëm një mënyrë e re pagese, por edhe një projekt strategjik, me të cilin Bashkimi Evropian synon të dëshmojë se mund të kontrollojë në mënyrë të pavarur të ardhmen e tij financiare në një rend ekonomik global gjithnjë e më të pasigurt. (PressOnline.al)







