Vetëm tre nxënës janë regjistruar në shkollën e mesme në Manastir – Janevska paralajmëron ndryshime

featured
Press Online
24 Qershor 2026, 10:59

Drejtimi bujqësor në Manastir nuk do të shuhet, por do të vazhdojë të funksionojë në kuadër të Qendrës Rajonale Arsimore, njoftoi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

Pas promovimit të teksteve shkollore të shtypura në SHFK “Luben Lape” në Komunën e Aerodromit, ajo sqaroi se në shkollën e mesme bujqësore “Kuzman Shapkarev” në Manastir, gjatë afatit të parë të regjistrimit janë regjistruar vetëm tre nxënës. Sipas ligjit, me vetëm tre nxënës nuk mund të formohet një paralele, ndaj ata do të sistemohen në drejtime të tjera, përcjell PressOnline.al.

“Në këtë moment në vitin e parë të kësaj shkolle janë regjistruar vetëm tre nxënës. Bëhet fjalë për rajonin e Pellagonisë, ku bujqësia duhet të zhvillohet dhe të avancojë edhe më tej. Mendoj se shkolla duhej të kishte treguar më shumë angazhim. Sipas ligjit, nuk mund të lejojmë që të funksionojë një paralele me vetëm tre nxënës. Nxënësit e viteve të dyta, të treta dhe të katërta do të vazhdojnë normalisht mësimin, ndërsa nga viti i ardhshëm ky drejtim do të transferohet në Qendrën Rajonale, ashtu siç kemi planifikuar dhe siç duhet të jetë”, deklaroi Janevska.

Sipas saj, stafi mësimor i kësaj shkolle nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme për të tërhequr nxënësit e klasave të nënta që do të vazhdojnë arsimin e mesëm.

“Fatkeqësisht, ata i zhgënjyen fëmijët. Në vend që të përpiqeshin të tërhiqnin nxënës, të promovonin shkollën në klasat e nënta dhe të organizonin aktivitete sensibilizuese, nuk e bënë këtë dhe në fakt, i sollën këta tre fëmijë në një situatë të sikletshme”, theksoi Janevska.

Ajo konfirmoi se kuadri arsimor do të transferohet në Qendrën e Burimeve, ndërsa objekti i shkollës do të mbetet në pronësi të Komunës së Manastirit ose të Republikës së Maqedonisë.

Në afatin e parë të regjistrimit në shkollat e mesme në vend janë regjistruar rreth 14.500 nxënës. Aktualisht është duke u zhvilluar afati i dytë i regjistrimit, ku ministrja pret që të regjistrohen edhe rreth 2.000 nxënës të tjerë. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter