Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka përsëritur kërkesën e saj për reflektim dhe përgjegjësi politike brenda partisë, duke vlerësuar se zgjedhjet e brendshme mbeten rruga e vetme për të rikthyer besimin e anëtarësisë dhe qytetarëve.
Përmes një reagimi publik, Bajrami ka theksuar se pozitat politike nuk janë të përhershme dhe se drejtuesit duhet të tregojnë dinjitet duke marrë përgjegjësi pas rezultateve të dobëta zgjedhore.
Ajo rikujtoi se që në janar kishte kërkuar dorëheqjen e kryetarit të LDK-së dhe kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i nënkryetares, duke argumentuar se përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se standardet duhet të vlejnë për të gjithë njësoj.
Sipas saj, parimi që humbësi duhet të marrë përgjegjësi dhe t’u hapë rrugë ndryshimeve duhet të zbatohet pa përjashtime.
Bajrami përmendi edhe Kuvendin e fundit të partisë, ku rreth 45 për qind e delegatëve ishin deklaruar në favor të dorëheqjes së kryetarit, duke e cilësuar këtë si një sinjal të qartë për nevojën e reformimit të partisë.
“Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme.
E kam thënë edhe në janar se në LDK përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor, duhet të ketë reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme.
Atëherë kam kërkuar dorëheqjen e kryetarit dhe kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, sepse besoja dhe vazhdoj të besoj se standardet duhet të vlejnë për të gjithë.
Parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë duhet të zbatohet pa përjashtim.
Më pas, LDK-ja mbajti Kuvendin e partisë, ku kryetari e vendosi mandatin e tij në votim. Aty, rreth 45% e delegatëve u deklaruan në favor të dorëheqjes së tij. Ky ishte një tregues i qartë se partia kishte nevojë për reflektim të thellë dhe për ndryshime të domosdoshme.
Por kryetari vendosi të vazhdojë, madje me kompetenca të zgjeruara nga po ai Kuvend.
Sot, pas një rezultati tjetër zgjedhor që e la LDK-në përsëri në vendin e tretë dhe pas kërkesave publike të disa degëve për përgjegjësi politike, bëhet edhe më e qartë se problemet që i kishim identifikuar në janar nuk janë adresuar asnjëherë.
Qëndrimi im nuk ka ndryshuar.
LDK-ja ka nevojë për reflektim të sinqertë, përgjegjësi politike dhe hapje të një kapitulli të ri që rikthen besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve.
LDK-ja është shumë më e madhe se secili prej nesh!”, ka shkruar Bajrami.







