Kuvendi i Degës së Aleancës për Shqiptarët në Çair, i organizuar të mërkurën në mbrëmje, ku u zgjodh kryetar i kësaj dege, u zhvillua me pjesëmarrje të kufizuar, ndërsa sipas vlerësimeve dhe pretendimeve të kundërshtarëve politik, një pjesë e konsiderueshme e të pranishmëve nuk ishin anëtarë të degës së Çairit, por aktivistë dhe funksionarë të ardhur nga degë të tjera të partisë, shkruan PressOnline.al.
Në aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, së bashku me deputetë, kryetarë komunash dhe funksionarë partiakë. Gjatë kuvendit u zgjodhën edhe nënkryetarët, sekretari, organet e degës dhe delegatët për kongresin e ardhshëm të partisë.
Në njoftimin zyrtar, Aleanca për Shqiptarët theksoi se po vazhdon konsolidimin e strukturave partiake dhe se dega e Çairit synon të shndërrohet në një zë të fortë të partisë dhe në një adresë për qytetarët shqiptarë.
Megjithatë, kritikët e këtij organizimi e cilësojnë aktivitetin si një dështim në aspektin e mobilizimit, duke pretenduar se pjesëmarrja ishte shumë më e ulët se pritshmëritë dhe se prania e anëtarëve nga degë të tjera nuk arriti të fshehë mungesën e mbështetjes lokale.
Nga këndvështrimi politik, Çairi vazhdon të konsiderohet një nga komunat më të vështira për t’u fituar nga rivalët e Izet Mexhiti. Mbështetësit e tij argumentojnë se është jashtëzakonisht e vështirë që dikush ta sfidojë në bastionin e tij politik, duke kujtuar se edhe Ali Ahmeti në të kaluarën tentoi ta mposhtte politikisht në Çair, por nuk ia doli, duke pësuar humbje në përballjet zgjedhore. (PressOnline.al)







