Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, i injoroi kërkesat e shërbimit gjyqësor dhe atij të prokurorive publike, të cilët javën e kaluar në debat publik kundërshtuan fuqishëm ndryshimet e propozuara ligjore në Kuvend. Të punësuarit paralajmëruan se me këto zgjidhje do të ketë ndërhyrje të drejtpërdrejtë të pushtetit ekzekutiv në punën e tyre, ndërsa gjykatat dhe prokuroritë do të mbeten pa kuadër, i cili edhe ashtu mungon, shkruan Sloboden Peçat, përcjell PressOnline.al.
Nga dhjetëra amendamente të dorëzuara nga deputetët opozitarë, u pranuan vetëm disa. Filkov pothuajse për çdo amendament përgjigjej shkurt: “nuk pranohet”, duke u thirrur në Ligjin për nëpunës administrativë, mendimin e Ministrisë së Administratës Publike ose qëndrimin negativ të Ministrisë së Financave për implikime shtesë financiare. Disa amendamente i refuzoi edhe pa sqarim.
Nuk u pranua kërkesa që të punësuarit në këto shërbime të trajtohen si nëpunës gjyqësorë, e jo si administratë shtetërore nën kompetencë të pushtetit ekzekutiv. U refuzua edhe propozimi që pagat t’u llogariten sipas pagës mesatare bruto në vend, e jo sipas pagës minimale, si dhe kërkesa që aktet nënligjore t’i miratojë Këshilli i Shërbimit Gjyqësor, jo ministri i Drejtësisë.
Kështu nuk bëhen reforma, ministër!
Pavarësisht kritikave të deputetëve opozitarë, të cilët i thanë se ka pasur “mbrojtjen më të dobët të ndonjë ligji deri më tani” dhe se është “i paaftë të zbatojë reforma”, Filkov nuk doli asnjëherë në foltore për të shpjeguar pse nuk pranohen amendamentet.
Deputetja Sonja Mirakovska nga NSDP-ja opozitare tha se kjo është mbrojtja më e dobët e një ligji dhe se ministri, në thelb, po tregon se nuk është i aftë të bëjë asgjë si ministër i Drejtësisë.
Derisa Filkov heshtte, deputetja Vesna Bendevska disa herë doli në foltore dhe i akuzoi deputetët e opozitës për vendime të mëparshme politike. Deputetët opozitarë e quajtën atë “avokate” dhe “zëdhënëse” të ministrit, pasi të dy janë nga ZNAM-i, parti pjesë e koalicionit qeveritar.
Këto ligje janë pjesë e agjendës reformuese dhe duhet të miratohen deri në fund të qershorit. Debati në komision, ku u dorëzuan gjithsej 105 amendamente, u ndërpre, ndërsa vazhdimi është caktuar për nesër pasdite.
Siljanovska-Davkova i mbështeti kërkesat
Ndryshe nga ministri, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova vlerësoi se kërkesat janë të arsyeshme dhe i mbështeti ato. Ajo tha se pa mjete financiare nuk mund të ketë gjyqësor të pavarur, efikas dhe efektiv.
Edhe pse grupet e punës kanë punuar dy vite mbi propozim-ligjet, në versionet e dorëzuara në Kuvend janë ndryshuar gjithsej 83 nene.
Javën e kaluar, përfaqësues të disa gjykatave dhe prokurorive paralajmëruan para deputetëve se dy propozim-ligjet, në vend që të jenë reformuese, janë diskriminuese dhe do të krijojnë ndarje mes personelit, në kushte kur gjykatat dhe prokuroritë përballen me mungesë të theksuar kuadri.
Sipas tyre, nga gjithsej 1.800 nëpunës gjyqësorë, rreth 1.550 do të bien nën dispozitat e ligjeve për administratën, pra nën kompetencë të drejtpërdrejtë të pushtetit ekzekutiv, ndërsa vetëm rreth 300 do të trajtohen si pjesë e pushtetit të pavarur gjyqësor. Ata paralajmëruan se kjo paraqet ndërhyrje direkte në pavarësinë e gjyqësorit dhe madje nuk përjashtuan grevën.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, paralajmëroi se ligjet nga agjenda reformuese, përfshirë edhe këto, deri më 30 qershor do të vendosen në seancë plenare. (PressOnline.al)







