“Dolëm me zhurmë, kthehemi me marrëveshje” – Taravari haxhi-pishman, synon rikthimin në Qeverinë e Mickoskit

featured
Press Online
23 Qershor 2026, 09:53

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit të partisë së tij në Qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski, ndonëse më herët largimi nga pushteti u paraqit si vendim parimor dhe politik, përcjell PressOnline.al.

Në paraqitjen e tij në emisionin “Debat në Shenja”, Taravari deklaroi se kthimi në Qeveri “prej aty ku ke dalë” do të ishte nënçmues, por menjëherë shtoi se një gjë e tillë mund të diskutohet nëse arrihet një marrëveshje e re politike.

Sipas tij, një marrëveshje e tillë do të duhej të përfshinte garanca për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe për ndryshimet kushtetuese. Në të kundërtën, siç tha ai, nuk ka asgjë për t’u diskutuar.

Kjo deklaratë e Taravarit vjen në një moment kur raportet mes opozitës shqiptare dhe VLEN-it janë ashpërsuar ndjeshëm. Ai akuzoi VLEN-in se nuk ka ndikim real në Qeveri dhe se, sipas tij, nuk pyetet për vendimet kryesore politike.

Taravari tha se përfaqësuesit e VLEN-it “nuk janë fare aty” dhe se nuk kanë informacione për atë që ndodh brenda pushtetit. Ai shtoi se sulmet e tyre ndaj kundërshtarëve politikë janë mënyra e vetme për t’u mbrojtur nga mungesa e ndikimit.

Duke folur për ndikimet rajonale dhe raportet me Serbinë, Taravari tha se BDI-ja është dërguar në opozitë, por tani përgjegjësia është te ata që janë në pushtet. Sipas tij, nëse VLEN-i pretendon se BDI-ja ka sjellë ndikimin serb, atëherë tani duhet të veprojë dhe ta largojë atë ndikim.

Me këtë qëndrim, Taravari praktikisht pranon se dera për rikthim në Qeveri nuk është e mbyllur, por përpiqet ta paketojë atë si pjesë të një marrëveshjeje të re politike me kushte evropiane. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter