Në ditën e 22 të protestës së qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, Kryeministri Edi Rama zgjodhi sërish të flasë për rrezikun që vjen nga algoritmi i rrjeteve sociale dhe diferencën që sipas tij ka mes fakteve dhe asaj që reflektohet në rrjetet sociale.
Rama paralajmëroi për zhgënjim të atyre protestuesve që nuk e bëjnë këtë dallim duke shfrytëzuar një personazh të shkrimtarit francez të fillim shekullit të XIX, Stendal nga libri “Manastiri I Parmës”, i cili u zhgënjye kur pa realitetin e një fushëbeteje.
“Njeriu mendon se po mbron flamingot, se po mbron Zvërnecin, se po mbron Shqipërinë, ndërkohë që po mbron interesat e dikujt tjetër, për të cilin interesat e Shqipërisë nuk kanë asnjë vlerë. Njeriu mendon se po lufton për diçka shumë fisnike, ndërkohë që është bërë një ushtar në një betejë që faktikisht nuk është më e tija. Ashtu si Fabrice del Dongo, ai hyn në fushën e betejës i tërhequr nga magneti i një ëndrre fisnike dhe dalëngadalë rrezikon të zbulojë shumë vonë se beteja ku u përfshi nuk ishte ajo që kishte besuar”, tha Rama.
Kryeministri përsëriti idenë se protestat në Shqipëri u nxitën nga interesa që nuk kanë lidhje më Shqipërinë.
“Flamingot nuk kanë nevojë për turma të rrëmbyera nga histeria e algoritmit dhe të nxitura nga interesa të tjera që nuk janë fare interesat tona, nuk janë fare interesat e Shqipërisë, në një betejë të globalizuar, jo se bota papritur u zgjua e alarmuar për fatin e flamingove, por se bota spostoi në Nartë një betejë të madhe kundër Presidentit të Amerikës për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me Nartën dhe gjithë kjo urrejtje dhe ky mllef, dhe ky zemërim që ka natyrë”, shtoi Rama.
Edhe pse protestuesit mbrëmjen e së shtunës I vendosën ultimatum për të dhënë dorëheqjen, kryeministri deklaroi se do të qëndrojë në detyrë
“Unë jam këtu, ne jemi këtu për të bërë së bashku më të mirën për Shqipërinë, për natyrën, për Zvërnecin, për flamingot, por ama për të bashkëpunuar me realitetin, jo jashtë realitetit”, deklaroi Rama.
Mbrëmjen e së shtunës në bulevardin dëshmorët e kombit u zhvillua një prej protestave më të mëdha në 3 dekadat e fundit, pjesë e së cilës ishin edhe shqiptarët që kanë emigruar e jetojnë jashtë kufijve të vendit. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit edi rama duke I vendosur edhe ultimatum që të largohet brenda datës 21 qershor







