Autoritetet shëndetësore në Republikën Demokratike të Kongos kanë njoftuar se numri i rasteve të konfirmuara laboratorikisht me virusin Ebola është rritur në 956, ndërsa 245 persona kanë humbur jetën.
Një ditë më parë, ministri i Shëndetësisë, Samuel Roger Kamba, kishte raportuar 933 raste dhe po aq viktima sa aktualisht. Sipas tij, 80 pacientë janë shëruar dhe kanë dalë nga qendrat e trajtimit të kësaj sëmundjeje shumë ngjitëse.
Epidemia aktuale, e shpallur më 15 maj, shkaktohet nga varianti Budibugyo i virusit Ebola, një lloj më i rrallë për të cilin aktualisht nuk ekziston as trajtim specifik dhe as vaksinë. Shumica e shpërthimeve të mëparshme janë shkaktuar nga varianti Zaire i virusit, për të cilin ekziston vaksinë.
Kjo është epidemia e 17-të e Ebolës në vendin afrikan. Megjithatë, autoritetet shëndetësore besojnë se virusi ka qarkulluar për një periudhë kohe pa u zbuluar para se të shpallej zyrtarisht epidemia.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, virusi Ebola ka shkaktuar mbi 15 mijë viktima në Afrikë gjatë 50 viteve të fundit, me shkallën e vdekshmërisë që varion nga 25% deri në 90%.
Shpërthimi më vdekjeprurës i Ebolës në RD të Kongos u regjistrua në periudhën 2018–2020, kur humbën jetën afro 2.300 persona nga rreth 3.500 raste të raportuara.







