Autoritetet franceze kanë marrë një vendim të rrallë për të ndaluar konsumimin e alkoolit në mjedise publike dhe gjatë eventeve të festivalit vjetor Fete de la Musique, si pasojë e një vale të pazakontë dhe shkatërruese të nxehti që ka përfshirë vendin.
Zyra e Kryeministrit Sebastien Lecornu ka urdhëruar që, në të gjitha eventet e organizuara nga shteti dhe agjencitë e tij, të mos ofrohet alkool. Ky vendim vjen si pjesë e përpjekjeve për të mbrojtur sistemin shëndetësor dhe për të lehtësuar punën e personelit mjekësor, duke reduktuar rastet emergjente që mund të shkaktohen nga kombinimi i alkoolit me temperaturat e larta.
Météo-France ka vendosur në alarmin e kuq, nivelin më të lartë të mundshëm, 35 departamente franceze. Temperaturat parashikohet të arrijnë deri në 41°C në disa zona, ndërsa vlerat mesatare në nivel kombëtar mund të shënojnë nivele historike për këtë periudhë të vitit.
Kjo valë e të nxehtit, që ka filluar prej disa ditësh, ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në jetën e përditshme, duke detyruar anulimin e dhjetëra linjave të trenave dhe pezullimin e mësimit në shumë shkolla.
Në Paris, autoritetet kanë mbajtur parqet dhe kopshtet publike hapur gjatë gjithë natës për t’u ofruar banorëve dhe turistëve një hapësirë më të freskët. Fête de la Musique, i cili mbahet çdo vit në ditën e solsticit veror, zakonisht mbledh miliona njerëz në rrugët e qyteteve franceze, por këtë vit festimet janë ndikuar rëndë nga moti ekstrem.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal, shmangie të aktiviteteve fizike të rënda dhe hidratim të vazhdueshëm, duke theksuar se kjo është një periudhë me rrezik të lartë për shëndetin publik, veçanërisht për personat më vulnerabël. Ekspertët paralajmërojnë se situata mbetet ende e pasigurt për ditët në vijim.







