Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensyk, ka paralajmëruar Bjellorusinë fqinje – aleaten e ngushtë të Rusisë – që të heqë pajisjet sinjalizuese të përdorura nga Kremlini për të shënjestruar Ukrainën, përndryshe, sipas tij, Kievi do ta bëjë vetë.
“Cili është kuptimi të thuhet se ai [udhëheqësi bjellorus Aleksandr Lukashenko] nuk dëshiron të jetë në luftë? Le t’i heqë këto pajisje, le t’i fikë. Mendoj se një javë do të jetë e mjaftueshme për ta bërë këtë”, tha Zelensky në një konferencë për shtyp në Kiev më 19 qershor.
“Nëse ai nuk e bën, ne do ta bëjmë”, shtoi ai, pa dhënë elaboruar më shumë.
Zelensky tha se stacionet e transmetimit të sinjaleve ndodheshin në dy rajone të Bjellorusisë pranë kufirit me Ukrainën dhe se ato përdoren nga forcat ruse për të ndihmuar procesin e navigimit gjatë sulmeve ndaj civilëve ukrainas.
Ky pretendim nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Zelensky po ashtu foli për kapacitetet e rafinimit të naftës në Bjellorusi, duke pretenduar se vendi është bërë një furnizues i rëndësishëm për Rusinë dhe se Lukashenko mund ta ndalë këtë praktikë.
“Sot ai është furnizuesi më i madh, ose ndër furnizuesit kryesor për ushtrinë ruse. Veçmas Lukashenko, veçmas Bjellorusia”, tha Zelensky.
“A mund të ndalet kjo? Jam i sigurt se është në dorën e tij. Dhe ai është ai që e kontrollon”, shtoi ai.
Kievi ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës së naftës dhe objekteve të magazinimit në Rusi, shpesh duke goditur thellë brenda territorit rus, përfshirë edhe zonat pranë kryeqytetit Moskë, duke shkaktuar mungesa në Rusi dhe rritje të çmimeve për civilët.







