“Skandal me hotelin Zig-Zag”, Berisha: Isa Aliu përfitoi tokën në Vuno, por në kadastër nuk figuron shitësi

featured
Press Online
19 Qershor 2026, 23:57

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë në konferencë me gazetarët për pronat që iu sekuestruan pak ditë më parë Salvador Aliut, i cili u cilësua si një prej kokave të trafikut të kokainës.

Berisha analizoi vetëm një prej këtyre pronave, projektin për hotelin Zig Zag në Vuno dhe mënyrën si ishte marrë prona nga vëllai i Salvador Aliut, Isa Aliu, në një prej zonave më të bukura të bregdetit shqiptar.

Sipas kryetarit të PD-së, në dokumentet që Isa Aliu ka dorëzuar në Kadastër për regjistrimin e pronës mungon emri i banorit të zonës që ia ka shitur këtë pronë Isa Aliut.

“Për t’ua thjeshtuar pak që në fillim, se nuk mund ta imagjinoni. Toka nuk ka shitës. Nuk ka. Unë e kuptoj se si ka mundësi, në republikën e kolonel Buendias të Gabriel Markez funksionon vetëm fantazia. Toka nuk ka shitës pra. Ky është narko-shteti i Edi Ramës.”

Berisha pretendon se në procesin e regjistrimit të kësaj prone prej 15 mijë metrash katrorë ka disa falsifikime, duke ngritur akuzat se Isa Aliu është ndihmuar nga zyrtarë të administratës. Sipas Berishës, regjistrimi i pronës është bllokuar në Kadastër për disa vite e më pas është regjistruar, edhe pse emri i shitësit mungon. Nga ana tjetër, sipas Berishës, edhe pse prona është në një zonë me shkurre, ajo është shënuar si pemëtore.

“Pse pemëtore tani? Pse pemëtore? Sepse ullishtat u ndanë me 7501-shin. Dhe për ta bërë këtë të ndashme me 7501-shin shpallën pyllin ullishte. Ja shifeni sa ullishte është. Që të shkoni atje dhe të gërmoni, ju garantoj se 1 metër në thellësi s’do të gjeni një kokërr ulli. Një farë ulliri, një bërthamë ulliri s’mund të gjeni aty.”

Berisha ka hedhur akuza se toka ose ka qenë publike dhe është marrë nëpërmjet falsifikimeve ose, sipas tij, kjo parcelë toke është pikërisht në zonën që pretendohet nga familja e kryeministrit Edi Rama në zonën e Vunoit.

/vizionplus.tv

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter