Lamine Yamal kërkon kujdes për rikthimin e plotë!

featured
Press Online
19 Qershor 2026, 20:14

Ylli i ri i Spanjës, Lamine Yamal, është pranë rikthimit në fushë pas dëmtimit që e mbajti larg për një periudhë të gjatë, por 18-vjeçari thekson se duhet treguar kujdes për të shmangur rreziqe të panevojshme.

Në një intervistë për TVE, sulmuesi i Barcelonës u shpreh optimist për gjendjen e tij fizike dhe gatishmërinë për të ndihmuar kombëtaren.

“Ndjehem shumë mirë. Kam qenë për një kohë të gjatë larg fushës dhe mezi pres ndeshjen e së dielës. Jam gati për çdo gjë që trajneri kërkon nga unë”, deklaroi Yamal.

Megjithatë, talenti spanjoll pranoi se ende nuk është në gjendje të përballojë një ndeshje të plotë.

“Mendoj se është shumë herët për të luajtur 90 minuta. Nuk ka nevojë të nxitojmë. Jam në një proces rikthimi dhe nuk është momenti për të zhvilluar një ndeshje të plotë”, tha ai.

Yamal zbuloi se dëmtimi i tij fillimisht i kishte shkaktuar frikë se mund të humbiste Kupën e Botës.

“Kur u lëndova, gjëja e parë që më shkoi në mendje ishte Botërori. Sigurisht mendon për ekipin tënd, por ky kompeticion ishte në kokën time. Fatmirësisht, mjekët më siguruan që do të isha gati në kohë dhe ja ku jam”, u shpreh ai.

Futbollisti i Barcelonës e cilësoi sezonin e fundit si më të vështirin në karrierën e tij të deritanishme, për shkak të problemeve fizike dhe dëmtimeve që e detyruan të qëndronte jashtë fushave për periudha të gjata.

“Nuk isha dëmtuar kurrë më parë dhe këtë sezon kam kaluar disa periudha të vështira. Megjithatë, këto situata të ndihmojnë të piqesh si lojtar dhe si person”, theksoi Yamal.

Me Spanjën që kërkon fitoren pas barazimit në ndeshjen e parë ndaj Kepit të Gjelbër, sulmuesi nuk e fshehu dëshirën për t’u rikthyer protagonist.

“Kam shumë dëshirë të ndihmoj ekipin. Ambicia për të fituar dhe për të luajtur është ajo që më motivon çdo ditë”, deklaroi ai.

Yamal foli edhe për vëmendjen e madhe mediatike që ka marrë vitet e fundit.

“E përjetoj me qetësi. E di se çfarë përfaqësoj në Spanjë dhe jashtë saj. Mundohem gjithmonë të jap maksimumin. Nëse njerëzit më vlerësojnë kaq shumë, është sepse arrij të bëj gjëra në fushë që u pëlqejnë tifozëve”, tha ai.

Në fund, ai nuk kurseu elozhet për Lionel Messin, duke e cilësuar argjentinasin si futbollistin më të mirë të historisë.

“Nëse dikush ka ende dyshime se Messi është më i miri i të gjitha kohërave, atëherë i ka ato pa arsye. Nuk ka asgjë më shumë për t’u diskutuar. Messi është më i miri dhe kjo nuk vihet në diskutim”, deklaroi Yamal.

Duke parë përpara drejt fazës eliminatore të Botërorit, ai nuk do ta kishte problem një përballje me Argjentinën.

“Shpresoj që të ndodhë. Për të fituar Kupën e Botës duhet të mposhtësh ekipet më të forta. Nëse përballemi me Argjentinën, aq më mirë. Madje do ta firmosja menjëherë një finale ndaj tyre”, përfundoi talenti spanjoll.

 

 

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter