MPB-ja ndryshon standardet për uniformën, telefonat dhe tatuazhet!

featured
Press Online
19 Qershor 2026, 12:38

Policët në Maqoni të Veriut do të mund të mbajnë mjekër dhe tatuazhe. Këtë e parashikojnë ndryshimet në Rregulloren për sjelljen dhe marrëdhëniet e ndërsjella të punonjësve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e miratuar në fillim të muajit maj të këtij viti, informon PressOnline.al

Sipas informacioneve nga MPB-ja, Rregullorja është miratuar më 4 maj 2026, por pas miratimit të saj, Sindikata e Pavarur e Policisë ka dorëzuar një propozim për ndryshimin e disa dispozitave që lidhen me çështjen e mbajtjes së mjekrës dhe tatuazheve nga ana e pjesëtarëve të policisë.

Në arsyetimin e propozimit janë përmendur praktikat e disa vendeve evropiane në lidhje me rregullimin e pamjes dhe sjelljes së punonjësve policorë.

“Pas shqyrtimit të propozimit të dorëzuar, ai u pranua dhe më 1 qershor 2026 u bënë ndryshime dhe plotësime në disa nene të Rregullores. Sipas ndryshimeve të bëra, pjesëtarëve të policisë që mbajnë uniformë u lejohet të mbajnë mjekër, por vetëm nëse ajo është e shkurtër, e rregullt dhe e mirëmbajtur vazhdimisht, në mënyrë që të mos cenojë pamjen profesionale dhe zyrtare të policit”, deklaruan nga MPB-ja.

Nga ministria theksojnë se me këto ndryshime është arritur harmonizimi i Rregullores me praktikat bashkëkohore dhe nevojat e punonjësve policorë, duke ruajtur njëkohësisht standardet e profesionalizmit, disiplinës dhe reputacionit të shërbimit policor.

Informacionin e konfirmoi edhe Sindikata e Pavarur e Policisë përmes faqes së saj zyrtare në Facebook.

“Një hap ndoshta i vogël për Ministrinë dhe sindikatën, por shumë i rëndësishëm në drejtim të gatishmërisë për zbatimin e reformave dhe dëgjimit të nevojave të kolegëve nga ana e udhëheqjes. Si rezultat i kërkesave të vazhdueshme të Sindikatës së Pavarur të Policisë, është pranuar plotësisht propozimi për heqjen e ndalesës për përdorimin e telefonave celularë nga policia kufitare, policia e trafikut dhe shërbimet administrative, si dhe lejimi i mbajtjes së mjekrës së rregullt dhe tatuazheve nga policia e uniformuar, që përbën një hap të rëndësishëm drejt liberalizimit dhe modernizimit të kushteve të punës”, njoftuan nga sindikata, përcjell PressOnline.al

Sipas Rregullores, punonjësi që mban uniformë duhet të jetë gjithmonë i rregulluar në pamje, ndërsa flokët duhet të jenë të prera në mënyrë që të mos bien mbi veshë apo mbi jakën e këmishës, bluzës ose xhaketës.

“Nëse mban mjekër, ajo duhet të jetë e rregullt, e shkurtuar dhe e njëtrajtshme, me konture të qarta dhe të mirëmbajtura në pjesën e faqeve dhe qafës. Mjekra duhet të jetë e pastër, e kujdesur dhe e mirëmbajtur rregullisht, në mënyrë që të mos cenojë pamjen profesionale dhe zyrtare të punonjësit, si dhe të mos pengojë përdorimin e duhur të pajisjeve zyrtare, përfshirë maskën mbrojtëse. Nëse mban mustaqe, ato nuk mund të kalojnë vijën e buzës së sipërme, ndërsa nga bizhuteritë lejohet vetëm mbajtja e unazës”, thuhet në Rregullore.

Në lidhje me tatuazhet, Rregullorja përcakton:

“Punonjësit që mbajnë uniformë nuk mund të kenë tatuazhe në pjesë të trupit që janë të dukshme gjatë mbajtjes së uniformës dhe pajisjeve speciale, përveç pjesës së gjymtyrëve të sipërme, me kusht që ato të mos përmbajnë përmbajtje fyese, raciste ose vulgare, të cilat mund të shkaktojnë shqetësim te qytetarët dhe të dëmtojnë reputacionin e Ministrisë.”

Në disa vende evropiane, mbajtja e mjekrës së rregullt dhe disa lloje tatuazhesh nga punonjësit policorë është lejuar prej kohësh, ndërsa në vendet e rajonit rregullat ndryshojnë.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter