Rafael Van der Vaart është rikthyer në qendër të polemikave. Ish-futbollisti holandez u detyrua të kërkonte falje publike pas një komenti të bërë në televizionin holandez NOS gjatë ndeshjes mes Holandës dhe Japonisë, i cili u cilësua nga shumë tifozë si racist. Gjithçka ndodhi në minutën e 88-të, kur dy goditje me kokë brenda zonës u shndërruan në gol nga Kamada, duke i dhuruar Japonisë barazimin 2-2, në një moment kur Holanda dukej se e kishte ndeshjen nën kontroll.
Duke komentuar aksionin, Van der Vaart u përpoq të justifikonte paaftësinë e mbrojtësit Van de Ven për të markuar kundërshtarin në zonë, duke thënë: “Të gjithë në Japoni ngjajnë njësoj, kështu që kush e di…”.
Deklarata shkaktoi reagime të forta, veçanërisht nga tifozët japonezë, të cilët e konsideruan komentin ofendues dhe diskriminues. Përballë kritikave, ish-mesfushori holandez sqaroi se bëhej fjalë për një shaka dhe se nuk kishte pasur asnjë qëllim për të ofenduar.
“Sigurisht që ishte një shaka. Tashmë duket sikur mezi guxoj të them diçka. Megjithatë, e kuptoj që disa persona i kanë interpretuar fjalët e mia si ofenduese dhe më vjen sinqerisht keq për këtë. Nëse kam lënduar dikë me komentet e mia, kërkoj ndjesë. Nuk ishte aspak qëllimi im.
I marr seriozisht reagimet që kam marrë dhe e kuptoj se fjalët e mia mund të interpretohen në mënyra të ndryshme. Për këtë arsye dua të sqaroj se deklarata ime nuk kishte asnjë qëllim racist apo diskriminues. Shpresoj që me këtë shpjegim të jetë më i qartë konteksti dhe qëllimi i komentit tim”, deklaroi Van der Vaart.







