Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim me strukturat e partisë në Shtime, ku ka vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e tyre në organizimin dhe funksionimin e subjektit politik.
Sipas Abdixhikut, anëtarët dhe aktivistët e LDK-së nuk bien pre e, siç i quajti ai, propagandës kundër partisë, dhe as nuk ndikohen nga përpjekjet për të krijuar përçarje apo keqinterpretim të qëllimeve politike të saj.
“Strukturat e LDK-së janë të mençura, të pjekura dhe, mbi të gjitha, të qarta. Nuk bien pre e propagandës anti LDK tashmë të zakonshme e bajate; e as nuk ngatërrohen në identifikimin e oportunistëve politik, po aq të zakonshëm e të parashikueshëm. E dinë mirë çfarë përfaqësojnë dhe për çfarë angazhohen.
Mbi të gjitha, nuk lejojnë që mundi e puna e tyre e përditshme të shpërdorohen e rezultatet t’u injorohen. Janë falënderues. E kur ke njerëz të tillë pas vetes, është e lehtë t’i përfaqësosh me dinjitet e respekt.
Në Shtime, në një tjetër takim falënderimi me strukturat tona. Sa i qartë është mesazhi nga këto takime”, ka thënë Abdixhiku.







