Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot rëndësinë e forcimit të rolit politik dhe vendimmarrës të Europës përballë sfidave globale, duke riafirmuar përkushtimin e Shqipërisë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian si një objektiv strategjik dhe i pandryshueshëm.
Në kuadër të Forumit Botëror Future Investment Initiative (FII) që po zhvillohet në Romë, kryeministri Edi Rama mori pjesë në një bashkëbisedim me prezantuesen dhe korrespondenten e CNN, Eleni Giokos, ku trajtoi zhvillimet aktuale gjeopolitike, procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe perspektivat e investimeve strategjike në vend.
Duke folur për situatën në Lindjen e Mesme, Rama theksoi se “ne jemi miq shumë të mirë me të gjithë në Lindjen e Mesme, me përjashtim të regjimit kriminal të Teheranit”.
“Urojmë më të mirën për vëllezërit tanë në vendet e Gjirit. Kur bëhet fjalë për Europën dhe rolin e saj, gjithçka thuhet me shumë qartësi: çfarë mungon, çfarë ka pasur Europa. Por ka një gjë, që në fakt është problemi numër një dhe që Europa nuk po ia del ta trajtojë, që është politika. Kapaciteti për të pasur një vizion të përbashkët, aftësia për të marrë vendime të përbashkëta, aftësia për të zbatuar në kohë gjithçka që është vendosur”, u shpreh Rama.
Edhe në rastin e Ngushticës së Hormuzit, Kryeministri theksoi se “është e trishtë të shohësh se si Europa është brenda dhe jashtë, është aty, por nuk është aty”.
“Edhe për krizën më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore, agresioni rus ndaj Ukrainës, Europa që qëndron krah Ukrainës është gjëja e duhur për t’u bërë, por Europa që nuk flet me Rusinë prej kaq shumë vitesh, kjo tregon sërish problemin me të cilin Europa duhet të përballet, që është politika dhe kapaciteti politik, si dhe vendimmarrja”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, Rama shprehu bindjen se “Bashkimi Europian është një projekt i mrekullueshëm, i krijuar ndonjëherë nga njerëzimi dhe potenciali është absolutisht i jashtëzakonshëm”.
“Fola për Europën dhe si një europian shumë i bindur, sepse mendoj që Bashkimi Europian është imagjinata më e mrekullueshme, më e mahnitshme e më guximshme e njerëzimit kur bëhet fjalë për politikën. Patjetër që ka probleme në Europë, por unë them gjithmonë që ne jemi të dashuruar me Europën”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se Shqipëria e do anëtarësimin në BE dhe do ta arrijë pavarësisht gjithçkaje.
“Kështu që jam i sigurt që shumë njerëz këtu e dinë, që kur bie në dashuri të gjithë të thonë “mos nxito të martohesh, sepse ne e dimë se ç’është”, po kjo nuk të ndalon të martohesh. Ti do të martohesh dhe ne duam “të martohemi” me Europën, sepse është vendi i duhur për të qenë. Se si do të shpalosen gjërat pastaj, është tjetër histori, por ne e duam këtë martesë, jemi të fiksuar pas saj. Do t’ia arrijmë pavarësisht gjithçkaje dhe herët më shumë se vonë”, shtoi Kryeministri.







