Në periudhën nga 1 janari deri më 28 maj të këtij viti janë regjistruar 768 vepra penale të dhunës në familje, që paraqet një rritje prej 67 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin evidentuar 460 raste, theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në prezantimin e projektit kombëtar “Ndërprerja e ciklit të dhunës – parandalimi sistematik i dhunës familjare dhe asaj ndërmjet bashkëmoshatarëve përmes sistemit arsimor”.
Toshkovski theksoi se pjesa më e madhe e veprave penale kanë të bëjnë me lëndime trupore në kuadër të dhunës familjare – 483 raste, si dhe me rrezikimin e sigurisë – 257 raste. Në këtë periudhë janë regjistruar edhe katër vrasje, një tentativë vrasjeje dhe shtatë lëndime të rënda trupore.
“Pas shumë prej këtyre rasteve qëndron një fëmijë që është dëshmitar i dhunës në shtëpinë e vet”, theksoi Toshkovski, duke shtuar se një ekspozim i tillë është një nga faktorët më të fuqishëm të rrezikut për sjellje agresive në të ardhmen.
Ministri informoi se MPB-ja ka reaguar më intensivisht, duke paraqitur 601 kallëzime penale, ose rreth 30 për qind më shumë se vitin e kaluar, ndërsa masa për ndjekje penale janë ndërmarrë ndaj 609 personave.
Vetëm në dy javët e para të qershorit, siç bëri të ditur ai, janë regjistruar edhe 89 vepra të reja penale për dhunë në familje, me 62 kallëzime të paraqitura, prej të cilave gjashtë me procedurë të përshpejtuar dhe me masa paraburgimi, si dhe masa për largim nga shtëpia dhe ndalim të afrimit.
Paralelisht, Toshkovski vuri në dukje edhe rritjen e dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve, me 93 incidente të regjistruara këtë vit kundrejt 81 vitin e kaluar, të evidentuara në 64 shkolla.
“Janë paraqitur 46 kallëzime penale dhe tre njoftime deri te Prokuroria Themelore Publike, për gjithsej 52 vepra penale kundër 92 kryerësve”, informoi Toshkovski, duke shtuar se numri i kallëzimeve është rritur për 18 për qind, numri i kryerësve për 16,5 për qind dhe numri i veprave penale për 10,6 për qind.
Ai i vlerësoi si veçanërisht shqetësuese të dhënat se dhuna ndaj fëmijëve është më shumë se e dyfishuar, nga 7 në 15 raste, si dhe se vepra penale përdhunim i një fëmije nën moshën 15 vjeç është regjistruar gjashtë herë, krahasuar me vetëm një rast vitin e kaluar.
Toshkovski theksoi se, megjithëse reagimi penal-juridik është i domosdoshëm, ai nuk është i mjaftueshëm, duke nënvizuar se çështje kyçe është shkëmbimi në kohë i informacioneve ndërmjet policisë, shkollave dhe qendrave për punë sociale.
Sipas ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, projekti kombëtar “Ndërprerja e ciklit të dhunës – parandalimi sistematik i dhunës familjare dhe asaj ndërmjet bashkëmoshatarëve përmes sistemit arsimor” synon që brenda një viti të shndërrohet në një zgjidhje të përhershme sistematike për njohjen dhe parandalimin në kohë të dhunës.
Ajo theksoi se dhuna ndërmjet bashkëmoshatarëve mbetet një sfidë serioze, por se institucionet kanë detyrimin të përgjigjen me një qasje të koordinuar dhe sistematike.
“Dhuna ndërmjet bashkëmoshatarëve është një sfidë që ekziston dhe me gjasë do të vazhdojë të ekzistojë, por detyrimi ynë është ta ulim atë në nivelin më të ulët të mundshëm”, theksoi Janevska.
Ministrja informoi se në zbatimin e projektit do të përfshihen më shumë institucione, ndër të cilat Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Politikës Sociale, shkollat, qendrat për punë sociale dhe sektori civil. Si masë kyçe ajo veçoi krijimin e një mekanizmi për identifikimin e hershëm të rrezikut nga dhuna, përmes lidhjes së sistemit arsimor me institucionet e tjera dhe me familjet.
Në kuadër të aktiviteteve do të realizohen trajnime për psikologët, pedagogët dhe punonjësit socialë të shkollave për identifikimin në kohë të fëmijëve viktima të dhunës. Gjithashtu është paralajmëruar përgatitja e një protokolli të unifikuar për veprim në rast dyshimi për dhunë, si dhe ndryshime të mundshme ligjore nëse konstatohet nevoja për to, me qëllim thelbësor forcimin e mëtejshëm të sistemit.
Ajo shtoi se aktivitetet në terren fillojnë që nga java e ardhshme dhe shprehu pritjen që deri në fillimin e vitit të ri shkollor institucionet të jenë dukshëm më të përgatitura për t’u përballur me dhunën mes fëmijëve dhe brenda familjeve.
Sipas ministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, dhuna tek të rinjtë kërkon një përgjigje të përbashkët, të koordinuar dhe vendimtare nga të gjitha institucionet dhe aktorët shoqërorë. Ai theksoi se projekti është vazhdimësi e përpjekjeve të përbashkëta për përballimin e dhunës dhe nënvizoi se problemi është kompleks dhe shpesh buron nga marrëdhëniet familjare, mungesa e mbështetjes dhe ndikimet e mjedisit.
Ministri theksoi se përmes grupit të ri kombëtar të punës do të bashkohen institucionet, sektori arsimor dhe ai i sigurisë, shoqëria civile dhe të rinjtë, ku për qëllim ka krijimin e zgjidhjeve sistematike dhe të qëndrueshme.
Dhuna në familje është një nga faktorët më të fuqishëm të rrezikut për zhvillimin e sjelljes agresive dhe problematike tek fëmijët, vlerësoi kryetarja e Odës së Psikologëve, Eleonora Serafimovska.
Ajo theksoi se pasojat e dhunës në shtëpi transmetohen drejtpërdrejt në shkolla, duke ndikuar në sjelljen, stabilitetin emocional dhe aftësinë e fëmijëve për të mësuar dhe për të krijuar raporte njerëzore.
“Fëmijët që rriten në një mjedis ku konfliktet zgjidhen me frikë ose forcë mund ta pranojnë dhunën si model sjelljeje”, theksoi ajo.
Sipas saj, sjellja agresive tek fëmijët shpesh është rezultat i traumës dhe modeleve të mësuara nga mjedisi familjar, por mund të shfaqet edhe përmes tërheqjes në vetvete, ankthit dhe rënies së suksesit shkollor.
Psikologët theksojnë se është thelbësore të identifikohet në kohë se çfarë fshihet pas sjelljes së fëmijës dhe të sigurohet ndërhyrje e hershme, me çka mund të parandalohet i ashtuquajturi “transmetim transgjeneracional i dhunës” dhe të ndërpritet cikli i saj.







