Mickoski: Ka funksionarë që karrigia u është bërë më e afërt se populli!

featured
Press Online
18 Qershor 2026, 09:41

VMRO-DPMNE mbrëm në Strumicë shënoi 36-vjetorin e themelimit. Në sallën sportive, para anëtarëve dhe simpatizantëve të pranishëm, kryetari i partisë dhe njëkohësisht kryeministri Hristijan Mickoski dërgoi disa mesazhe dhe paralajmëroi ndryshime që, siç tha ai, do të fillojnë që nesër me rindërtimin e Qeverisë, informon PressOnline.al

Ai deklaroi se ka vërejtur një fenomen te një pjesë e niveleve të pushtetit, të cilët sipas tij po sillen në kundërshtim me parimet e Qeverisë dhe për të cilët “karrigia është bërë më e afërt se populli”.

“Ka edhe të tillë që karrigia u është bërë më e afërt sesa kontakti me qytetarët. Marr ankesa se një pjesë e ministrave dhe drejtorëve janë bërë të paarritshëm për popullin, ndërsa ka edhe nga ata që udhëtimet private i kanë më të dashura sesa vizitat në fshatra dhe qytete. Kanë harruar nga kemi ardhur dhe si kemi filluar”, deklaroi Mickoski.

Ai kujtoi se para tetë vitesh, kur VMRO-DPMNE ishte në opozitë dhe ai u zgjodh kryetar i partisë, kishte filluar vizitat në komitetet lokale në Strumicë vetëm me dy ose tre persona pranë tij.

“Para tetë vitesh, pikërisht nga Strumica, kur u bëra kryetar i VMRO-DPMNE-së, fillova vizitat në komitetet lokale me një automjet partie që shpesh prishej, me një kamerë të trashëguar dhe të amortizuar, me pronë partiake të bllokuar dhe me vetëm dy ose tre persona rreth meje. Por dëshira për sukses ishte e madhe. Askush nuk duhet ta harrojë atë kohë. Dhe kjo është një mesazh se nuk do të toleroj që dikush të dehet nga privilegjet që sjell pushteti”, tha Mickoski, përcjell PressOnline.al

Lidhur me mundësinë e zgjedhjeve, ai theksoi se VMRO-DPMNE është e gatshme për çdo opsion.

“Tani do të punoj në rindërtimin e Qeverisë, por opozita duhet të ketë kujdes me deklaratat për zgjedhjet, sepse mund t’u realizohet ajo që deklarativisht e kërkojnë. Kur e shoh këtë popull këtu, mesazhi është i qartë: ne jemi gati. Jemi të përgatitur për çdo skenar”, tha Mickoski.

Duke folur për çështjen e ndryshimeve kushtetuese, kryeministri theksoi se VMRO-DPMNE nuk do të pranojë ndryshime pa garanci për rrugën evropiane të shtetit.

“Qëndrimi dhe oferta jonë është që ndryshimet të ndodhin vetëm nëse kemi garanci për sigurinë e rrugës evropiane dhe se kjo do të jetë lëshimi i fundit që do të bëjmë. Nuk ekziston forcë dhe as para në botë që do të më shtyjnë të sjell turp historik për atdheun tonë”, deklaroi Mickoski.

Ai akuzoi opozitën se ka tradhtuar premtimet ndaj qytetarëve dhe ka nënshkruar një marrëveshje që sot paraqet pengesë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Sipas tij, nëse nuk do të ekzistonte problemi i krijuar nga opozita, me reformat e pushtetit aktual vendi tashmë do të ishte pranë dyerve të BE-së.

Edhe një herë ai përsëriti se në procesin e afrimit drejt Bashkimit Evropian e pret vendin një “maratonë” për të korrigjuar, siç u shpreh ai, gabimet e qeverisë së kaluar.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter