Maqedonia ndër vendet me javën më të gjatë të punës

featured
Press Online
15 Qershor 2026, 10:51

Koha reale javore e punës në Maqedoni, sipas Eurostat-it, është 39,5 orë dhe është mbi mesataren e Bashkimit Evropian, e cila arrin në 35,9 orë në javë. Ky tregues i përfshin të punësuarit e moshës 20 deri në 64 vjeç, me orar të plotë dhe të pjesshëm, në punën e tyre kryesore, shkruan DW, përcjell PressOnline.al.

Çfarë ndikon në gjatësinë e orarit të punës?

Sipas ekspertëve, faktorët kryesorë janë mënyra e rregullimit të orarit të punës, struktura e punësimit, shpërndarja e punëtorëve sipas profesioneve, struktura e ekonomisë, pjesëmarrja e sektorëve të caktuar në ekonomi, produktiviteti, respektimi i dispozitave të punës, raporti i punëdhënësve dhe fuqia e sindikatave.

Më gjatë apo më produktivisht?

“Koha e shfrytëzuar më mençur apo orar më i gjatë pune” – kjo është dilema që e shtrojnë punëdhënësit, por deri më tani rrallë kush është përpjekur të verifikojë se si funksionon kjo në praktikë.

Deri më tani vetëm një kompani maqedonase, “Magnometal” SHPKNJP, vendosi që në vitin 2026 të nisë një pilot-projekt për vendosjen e javës 4-ditore të punës për të punësuarit e saj, pa ulje të pagës. Siç shpjeguan nga kompania, presin që java 4-ditore e punës të forcojë mirëqenien e ekipit të tyre, të optimizojë produktivitetin operacional dhe të sigurojë një balancë më të mirë ndërmjet punës dhe jetës private të të punësuarve, informon DW, përcjell PressOnline.al.

Sipas një pjese të punëdhënësve, për të nxjerrë vlerësime të vlefshme për efektin e një vendimi të tillë, nevojitet minimum një vit, ndërsa ka veprimtari specifike ku duhet edhe më shumë kohë për të parë efektet.

Në disa kompani vendosin t’i ulin orët e punës në ditën e fundit të javës së punës – të premten, por në llogari të punës më të gjatë nga e hëna deri të enjten. Kjo praktikisht është një rishpërndarje e brendshme e orëve, por thonë se për të punësuarit ka rëndësi nëse fitojnë më shumë kohë të lirë para së shtunës dhe së dielës, dhe kjo i motivon që t’i përfundojnë detyrat në kohë.

“Në disa sektorë, ku puna është shumë intensive gjatë një sezoni të caktuar, ndonjëherë punohet edhe më shumë se 40 orë në javë. Por, nga ana tjetër, ka edhe periudha kur puna është më e lehtë, kështu që natyra e veprimtarisë ndonjëherë vetë e krijon balancën”, shpjegon një punëtor nga sektori i turizmit dhe hotelerisë.

Dallime të mëdha

Për këtë çështje, shifrat për vendet e veçanta tregojnë dallime të mëdha mes vendeve të BE-së. Për shembull, koha reale javore e punës në Holandë është 31,9 orë, ndërsa në fund të listës janë edhe Gjermania dhe Danimarka me nga 33,9 orë reale pune në javë.

Edhe pse në Holandë java e punës për të punësuarit me orar të plotë është rreth 40 orë, mesataren e javës së punës e ulin punëtorët me orar të pjesshëm, të cilët përbëjnë mbi 40 për qind të punësimit të përgjithshëm.

Ndryshe nga Holanda, Greqia, me 39,6 orë, ka kohën më të gjatë javore të punës ndër vendet e BE-së. Pas Greqisë pasojnë Polonia dhe Bullgaria me nga 38,7 orë, si dhe Lituania me 38,4 orë. Nga vendet e rajonit që janë anëtare të BE-së, Sllovenia ka 38,3 orë, ndërsa Kroacia 37,7 orë pune në javë.

Në krye të listës janë vendet që nuk janë anëtare të BE-së. Rekordin e mban Turqia, ku java mesatare e punës zgjat 42,4 orë, ndërsa menjëherë pas saj janë Bosnja dhe Hercegovina me 40,9 orë, Serbia me 40,6 orë dhe Maqedonia me 39,5 orë.

Pjesëmarrja e sektorëve të caktuar në ekonomi mund të ndikojë ndjeshëm në kohën mesatare të punës, pasi disa industri kërkojnë orë më të gjata pune se të tjerat. Përveç dallimeve kombëtare, sipas Eurostat-it, orari i punës ndryshon në mënyrë drastike edhe sipas sektorëve. Javën më të gjatë të punës në Bashkimin Evropian e kanë punëtorët e kualifikuar në bujqësi, pylltari dhe peshkatari, të cilët mesatarisht punojnë 42 orë në javë. Pas tyre vijnë menaxherët me 40,6 orë, pastaj pjesëtarët e forcave të armatosura me 39,4 orë. Javë më të shkurtër pune kanë nëpunësit administrativë – 34 orë, si dhe punëtorët në veprimtaritë shërbyese dhe në shitje – 34,5 orë.

Puna gjatë fundjavës

Derisa në listën për gjatësinë e orarit javor të punës Maqedonia është në vendin e pestë, ajo është në vendin e shtatë në klasifikimin e Eurostat-it për punën të shtunave dhe të dielave. Sipas këtij treguesi, 26,2 për qind e të punësuarve në vend punojnë gjatë fundjavave.

Në vendin e parë është Greqia me 31,5 për qind. Ajo, ndër vendet anëtare të BE-së, ka numrin më të madh të punëtorëve që punojnë gjatë fundjavave, përkatësisht rreth një e treta e punëtorëve. Pasojnë Qiproja me 31,3 për qind, Bosnja dhe Hercegovina me 30,8 për qind, Zvicra me 29,3 për qind, Malta me 29,2 për qind dhe Italia me 26,9 për qind. Në Serbi, 24,8 për qind e qytetarëve punojnë të shtunave dhe të dielave, ndërsa në Bullgari vetëm 7 për qind. Në fund të listës janë Polonia me 4,2 për qind dhe Lituania me 3 për qind.

Mesatarja në BE është 18,5 për qind, ndërsa nën këtë mesatare janë shumë vende të BE-së, mes tyre Suedia me 18,2 për qind, Finlanda me 16,7 për qind, Gjermania me 16,2 për qind, Holanda me 14,9 për qind, Luksemburgu me 13,9 për qind, Sllovenia me 13,8 për qind dhe Kroacia me 13,7 për qind.

Mbi mesataren e BE-së janë Portugalia me 19,5 për qind, Austria me 20,6 për qind, Norvegjia me 21,2 për qind, Spanja me 23,9 për qind, Franca me 25,7 për qind dhe Irlanda me 25,8 për qind. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter