Jessica Simpson rrëfen presionin e dhimbshëm të famës: “Më thanë të humbisja peshë kur…”

featured
Press Online
14 Qershor 2026, 04:43

Këngëtarja dhe sipërmarrësja amerikane Jessica Simpson ka bërë një rrëfim të sinqertë për presionin e madh që përjetoi në fillimet e karrierës së saj, duke zbuluar se industria e muzikës e vuri përballë kërkesave të ashpra për pamjen fizike që në moshë shumë të re.

Gjatë një koncerti të mbajtur së fundmi në Pensilvani, artistja kujtoi periudhën kur po ndërtonte emrin e saj në skenën e muzikës pop dhe tregoi se shumë shpejt kuptoi se talenti nuk ishte i vetmi kriter mbi të cilin do të gjykohej.

Sipas Simpson, ajo krahasohej vazhdimisht me yje të mëdhenj të muzikës si Britney Spears dhe Christina Aguilera, ndërsa përballej me kërkesa të vazhdueshme për të ndryshuar trupin e saj.

Mendoja se kisha nënshkruar kontratë vetëm për zërin tim, por më pas më thanë: ‘Duhet të humbësh rreth shtatë kilogramë’

-kujtoi ajo.

Artistja tregoi se në atë periudhë peshonte rreth 52 kilogramë dhe se një koment i tillë ishte veçanërisht i rëndë për një vajzë 17-vjeçare që sapo po hynte në botën e showbiz-it.

Por presioni nuk ndaloi vetëm te pesha. Simpson tha se me kalimin e kohës asaj iu kërkua të kishte një bark të tonifikuar dhe një trup që t’i përshtatej standardeve të industrisë së argëtimit.

Më kërkohej të përfaqësoja kaq shumë gjëra për të qenë ‘Jessica Simpson’. Vazhdimisht ndihesha sikur po dështoja, sikur nuk isha kurrë mjaftueshëm e mirë

-u shpreh ajo.

Vitet e fundit, këngëtarja ka folur shpesh për rëndësinë e pranimit të vetes dhe për betejat e saj me vetëbesimin.

Në një intervistë të mëparshme në emisionin “The Jennifer Hudson Show”, ajo tregoi se rikthimi në muzikë e ndihmoi të pranonte dobësitë e saj dhe të gjente forcë pikërisht në to.

Kjo reflektim personal është pasqyruar edhe në projektin e saj muzikor “Nashville Canyon: Part 1”, koleksioni i parë me materiale të reja muzikore që nga viti 2008.

Përveç sfidave me imazhin, Simpson ka folur hapur edhe për luftën e saj me varësinë nga alkooli, duke theksuar se përballja me të kaluarën e ka ndihmuar të rifitojë besimin te vetja dhe te karriera e saj.

Sot, artistja thotë se ndihet më e fortë dhe më e sigurt se kurrë, ndërsa rikthimi në skenë i ka dhënë mundësinë të rigjejë jo vetëm zërin e saj artistik, por edhe vetëbesimin që kishte humbur për vite me radhë.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter