Histori apo reforma, çfarë e pengon rrugën e Maqedonisë drejt BE-së?

featured
Press Online
13 Qershor 2026, 21:51

Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se kontestet historike me Bullgarinë nuk janë pjesë e kushteve evropiane, por çështje dypalëshe mes dy vendeve. Duke iu referuar deklaratave të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, ai tha se Maqedonia e Veriut duhet të vlerësohet sipas kritereve të Kopenhagës dhe të ecë drejt BE-së përmes reformave dhe sundimit të ligjit. Filipçe theksoi se reformat nuk rrezikojnë gjuhën, kulturën dhe identitetin maqedonas, ndërsa kritikoi kryeministrin Hristijan Mickoski për, siç tha, thellimin e ndasive politike dhe ngadalësimin e procesit eurointegrues. Andaj ai bëri thirrje për vazhdimin e reformave dhe përshpejtimin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Për herë të parë, dikush nga VMRO-ja po e thotë publikisht atë që ne në LSDM, e tani edhe në Frontin e Gjerë Qytetar, e përsërisim prej kohësh. Kontestet historike me Bullgarinë dhe puna e Komisionit Historik nuk janë pjesë e kushteve për vazhdimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Kjo është një çështje dypalëshe mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, e jo një kusht evropian. A do të thotë kjo se presidentja Siljanovska dëshiron t’i bashkohet Frontit për të Vërtetën dhe Drejtësinë? Le të evropianizohemi gjatë rrugës sonë, të bëhemi të përputhshëm me atë që kërkojnë kriteret e Kopenhagës. Si? Duke mos humbur kohë me zgjidhjen e çështjeve historike, sepse ato janë të përjashtuara nga çështjet identitare dhe nga aktet themeluese të Bashkimit Evropian, të cilat garantojnë respektimin e identitetit kombëtar dhe kulturor, dhe duke u përqendruar te procesi i evropianizimit.”, u shpreh lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, përcjell PressOnline.al

I menjëhershëm ishte reagimi i VMRO-DPMNE-së, e cila tha se koha e kapitullimeve ka përfunduar. Nga kjo parti thanë se Filipçe mbron kërkesat bullgare për ndryshimet kushtetuese, ndërsa VMRO-DPMNE-ja është ajo e cila qëndron në mbrojtje të interesave kombëtare maqedonase. Sipas tyre, politikat e LSDM-së dhe BDI-së e kanë vendosur shtetin në pozitë të pafavorshme dhe kanë hapur rrugë për presione e kushtëzime të vazhdueshme ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Filipçe dhe udhëheqja e LSDM-së po sillen në mënyrë plotësisht servile ndaj Bullgarisë dhe Sofjes zyrtare. Me gjasë këtë e shohin si mënyrën e vetme për të ardhur në pushtet. Ndërsa udhëheqja aktuale shtetërore në vend të parë e vendos shtetin e vet Maqedoninë, gjuhën e vet, identitetin dhe gjithçka që është maqedonase. Se politika që po ndiqet është në drejtimin e duhur, këtë javë e kanë treguar edhe hulumtimet e opinionit publik. Plot 80 për qind janë kundër përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë nën diktatin e Sofjes zyrtare. LSDM duhet ta kuptojë se promovimi i idesë për bullgarët në Kushtetutë nuk i jep fund çështjes, por vetëm hap një sërë çështjesh dhe problemesh për Maqedoninë.”, u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO -DPMNE.

Derisa lideri i opozitës, Venko Filipçe, bën thirrje që të mos lejohen, siç thotë ai, gënjeshtrat dhe propaganda e kësaj qeverie, e cila sipas LSDM-së po përçan qytetarët dhe po e izolon vendin nga procesi eurointegrues, duke rrezikuar që Maqedonia e Veriut të mbetet e margjinalizuar në Ballkan, VMRO-DPMNE-ja përsërit se nuk do të pranojë kushte të reja, nuk do të negociojë për identitetin dhe nuk do të lejojë që interesat kombëtare të sakrifikohen për karriera politike. Nga partia në pushtet akuzojnë LSDM-në se pikërisht në këtë mënyrë ka vepruar në të kaluarën, duke porositur se koha e kapitullimeve ka përfunduar.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter