Gazetarja ukrainase Iryna Synelnyk, e cila është pjesë e grupit të gazetarëve ukrainas të strehuar në Kosovë pas fillimit të luftës në Ukrainë, ka reflektuar mbi ngjashmëritë dhe dallimet ndërmjet përvojës së Kosovës pas luftës dhe sfidave me të cilat po përballet sot Ukraina.
Në një shkrim kushtuar Ditës së Çlirimit të Kosovës dhe konferencës ndërkombëtare “Urat e Kujtesës: Pajtimi dhe Drejtësia Tranzicionale në Shoqëritë Pas Konfliktit” të organizuar nga Liria ka Emër dhe KIPRED-i, të mbajtur në Prishtinë, Synelnyk vlerëson se përvoja kosovare ofron mësime të vlefshme për procesin e rindërtimit, drejtësisë dhe pajtimit pas konflikteve.
Ajo rikujton se 12 qershori shënon fundin e luftës së viteve 1998–1999 në Kosovë, hyrjen e forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe tërheqjen e forcave jugosllave, duke e cilësuar këtë datë si një moment historik që vazhdon të ndikojë në zhvillimin politik dhe shoqëror të vendit.
Sipas saj, një nga temat kryesore të konferencës në Prishtinë ishte pyetja se kur dhe në çfarë kushtesh është i mundur pajtimi ndërmjet popujve pas luftës. Në këtë kontekst, ajo sjell në vëmendje diskutimet e zhvilluara nga diplomatë, politikanë, studiues dhe aktivistë nga vende të ndryshme, të cilët theksuan rëndësinë e drejtësisë, dokumentimit të krimeve dhe ruajtjes së kujtesës historike.

Synelnyk vëren se përvoja e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tregon se pajtimi nuk mund të ndërtohet pa pranimin e krimeve të kryera dhe pa ballafaqim me të kaluarën. Ajo thekson se kjo çështje mbetet po aq e rëndësishme edhe për Ukrainën, e cila përballet me pasojat e agresionit rus.
Gazetarja ukrainase nënvizon se dokumentimi i krimeve të luftës dhe ruajtja e kujtesës kolektive janë elemente thelbësore për çdo proces të ardhshëm të drejtësisë dhe pajtimit. Sipas saj, përvoja e Kosovës tregon se pa drejtësi dhe njohje të së vërtetës historike, është e vështirë të ndërtohen marrëdhënie të qëndrueshme mes shoqërive të prekura nga lufta.
Shkrimi i Synelnyk vjen si një reflektim mbi sfidat që e presin Ukrainën pas përfundimit të luftës, duke e paraqitur Kosovën si një rast studimi të rëndësishëm për mënyrën se si shoqëritë pas konfliktit përballen me drejtësinë, kujtesën dhe procesin e pajtimit.








