Deputetja e Bundestagut gjerman nga Partia Socialdemokrate (SPD), Jasmina Hostert, ka kërkuar që Bashkimi Evropian të përshpejtojë procesin e zgjerimit dhe të mbajë premtimet e dhëna prej vitesh për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas saj, integrimi i Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi nuk duhet të shihet më si një çështje e së ardhmes së largët, por si një nevojë strategjike për stabilitetin dhe zhvillimin e Evropës.
Hostert ka vënë në dukje se shumë vende të rajonit kanë pritur për më shumë se dy dekada një perspektivë konkrete evropiane, pavarësisht reformave institucionale, ekonomike dhe gjyqësore të ndërmarra që nga Samiti i Selanikut në vitin 2003.
“Ballkani Perëndimor i përket Evropës. Shumë vende të rajonit kanë pritur një perspektivë evropiane për më shumë se 20 vjet. Vendi i tyre është në BE”, ka deklaruar ajo.
Deputetja gjermane ka paralajmëruar se vonesat e vazhdueshme në procesin e anëtarësimit mund të krijojnë zhgënjim te qytetarët e rajonit dhe të hapin hapësirë për ndikimin e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që synojnë të zgjerojnë praninë e tyre politike dhe ekonomike në Ballkan.
Duke folur për rolin e diasporës, Hostert ka theksuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk është një proces nga i cili përfiton vetëm rajoni. Sipas saj, miliona qytetarë me origjinë nga Ballkani janë pjesë aktive e shoqërisë gjermane prej dekadash, duke kontribuar në ekonomi, tregun e punës dhe jetën shoqërore të vendit.
Ajo ka argumentuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet parë si një partneritet me përfitime të ndërsjella dhe jo si një proces ku BE-ja vetëm ofron mbështetje për vendet kandidate.
Deklaratat e Hostert vijnë në një kohë kur Gjermania po vazhdon të mbështesë Procesin e Berlinit, një nismë që synon forcimin e bashkëpunimit rajonal, lidhjeve infrastrukturore dhe afrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Sipas saj, integrimi më i shpejtë i rajonit do të kontribuonte jo vetëm në stabilitetin gjeopolitik të Evropës Juglindore, por edhe në forcimin e ekonomisë evropiane, adresimin e mungesës së fuqisë punëtore dhe rritjen e sigurisë në kontinent.







