Fetoshi: Kosova sot është më afër NATO-s, bashkësia ndërkombëtare më e prerë ndaj qëllimeve të Serbisë

featured
Press Online
12 Qershor 2026, 20:41

Sot, në 27 vjetorin e Çlirimit, Kosova është më afër NATO-s dhe komuniteti ndërkombëtar është më i prerë kundër synimeve hegjemoniste të Serbisë, vlerëson Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi.

Në një intervistë për Euronews Albania, ai e ka mbështetur vlerësimin e tij në mesazhet dhe veprimet e SHBA-së, BE-së dhe fuqive kryesore europiane.

“Vlerësimi i sotëm i Komandantit të Forcave Aleate në Europë, gjeneralit Grynkewich për avancimin e kapaciteteve të FSK-së, si dhe takimi i parë i Bordit për Ndërveprueshmërinë e Komandimit dhe Kontrollit në kuadër të Parneriteteve Ndërkombëtare të EUCOM-it, tregon se Kosova tani është shumë më afër NATO-s.

Nga ana tjetër, samiti i sapombajtur i BE-së me Ballkanin Perëndimor në Mal të Zi dhe deklaratat e ambasadorëve Hargraves e Rudolph në Prishtinë se angazhimet institucionale për sundimin e ligjit dhe zbatimin e kuadrit ligjor të Kosovës në të gjithë vendin janë të padiksutueshme, tregon po ashtu për një qartësi strategjike që tashmë përfshin edhe BE-në në raport me synimet hegjemoniste të Serbisë”, vlerëson Fetoshi.

Duke folur për Ditën e Çlirimit dhe unitetin e klasës politike në nderim të dëshmorëve e sakrificës për liri, ai thekson se është e domosdoshme që ky unitet të përkthehet edhe në përgjegjësi dhe bashkëpunim për formimin sa më të shpejtë të institucioneve, në mënyrë që Kosova të mund t’i përballojë sa më lehtë sfidat që lidhen me sigurinë, integrimet euro-atlantike dhe zhvillimin e brendshëm ekonomik.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter