Rekonstruimi i Qeverisë, prova e madhe e Mickoskit: Zgjedhje në pranverën e 2027-ës?

featured
Press Online
10 Qershor 2026, 12:09

Vendimi i kryeministrit Hristijan Mickoski për mënyrën e realizimit të rekonstruimit qeveritar mund të jetë faktor kyç që do të përcaktojë nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare në pranverën e vitit 2027 apo do ta përfundojë mandatin deri në zgjedhjet e rregullta në 2028.

Sipas analizave politike dhe informacioneve nga burime qeveritare, nëse rekonstruimi i kabinetit qeveritar është i kufizuar dhe “kozmetik”, atëherë është e mundshme që shumica qeverisëse të orientohet drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në pranverën e 2027-ës. Në të kundërtën, nëse ndryshimet përfshijnë më shumë resore dhe një riformatim më të thellë të Qeverisë, atëherë pritet që ekzekutivi të vazhdojë mandatin deri në zgjedhjet e rregullta në vitin 2028, shkruan PressOnline.al.

Rritja e rejtingut të koalicionit VLEN dhe balancat e reja politike mes partnerëve të qeverisë po konsiderohen si elementë të rëndësishëm në vendimin përfundimtar të Mickoskit. Sipas sondazheve të prezantuara brenda partive, VLEN ka shënuar rritje dhe madje për herë të parë raportohet se ka kaluar përpara BDI-së, me rreth 8% kundrejt 7.8%.

Mickoski, në një brifing me gazetarët, ka deklaruar se nuk përjashton mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, duke theksuar se “gjithçka është e mundur”, por njëkohësisht ka shtuar se qytetarët aktualisht nuk janë të prirur për zgjedhje të reja. Ai ka paralajmëruar edhe nisjen e anketave të reja sipas njësive zgjedhore, të cilat pritet të ndikojnë në strategjinë politike të partisë.

Në planin e brendshëm qeveritar, paralelisht me rekonstruimin po shqyrtohen edhe ndryshime të mundshme në ndarjen e resorëve mes partnerëve të koalicionit, përfshirë ministritë kyçe si shëndetësia, drejtësia dhe arsimi. Këto rishpërndarje, sipas burimeve politike, lidhen drejtpërdrejt me stabilitetin e koalicionit dhe mundësinë e një cikli të ri zgjedhor.

Në këtë kontekst, rekonstruimi i Qeverisë nuk shihet vetëm si riorganizim teknik, por si një hap politik që mund të përcaktojë nëse Maqedonia e Veriut do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në vitin 2027 apo do të mbetet në kursin e mandatit të plotë deri në 2028-ën. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter