Çfarë po ndodh në Shqipëri, pse protestojnë shqiptarët? Kjo ishte pyetja që iu drejtua këtë të martë në studion e Quo Vadis në Vizion Plus, nga moderatorja Pranvera Borakaj ekspertit të ekonomisë, Azmi Stringa.
Lidhur me pyetjen, Stringa tha se arsyet janë të shumta, por dy janë kryesoret: gjendja e rënduar ekonomike, si dhe mungesa e transparencës për atë që po ndodh në Zvërnec.
Sipas tij, një ekonomi e shëndoshë quhet vetëm atëherë kur ka mirëqenie në xhepat e qytetarëve dhe ka shtim të popullsisë së shqiptarëve.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Dita e 10-të e protestës! Ditën e nesërme është ftuar edhe diaspora. Ju jeni një ndër ata që merrni pjesë në protestë. Pse protestoni?
Stringa: Keqqeverisja, abuzimi dhe korrupsioni, i bazuar në një model ekonomik që nuk u shërben qytetarëve. Një model ekonomik duhet t’i bëjë Shqipërinë dhe shqiptarët të begatë dhe të kontribuojë në shtimin e popullsisë sonë. Arsyeja tjetër, që është më shqetësuese kur pamë atë qytetarin që e tërhoqën zvarrë, është ajo shprehja: “Demokracia vdes në errësirë”. Mungesa e transparencës është ajo që karakterizon qeverinë sot. Qytetarët sot janë më të varfër dhe nuk kanë mundësi të shfrytëzojnë pronën e tyre. Janë të skllavëruar nga një monopol lejesh dhe licencash, çmimet janë të rritura.
Borakaj: Ju po më thoni se, për një ekonomist, ishte e pashmangshme që të vinim te protesta e sotme?
Stringa: Po, në atë sjelljen 30-sekondëshe që panë shqiptarët në video, tërheqjen zvarrë, gardhin që futej në ujë, shqiptarët panë sjelljen e shtetit.
Borakaj: Pse shkoi gardhi deri në ujë?
Stringa: Keqmenaxhimi që këta bënë. Nëse një qeveri mbron interesin e qytetarëve, gjëja e parë është të bëjë transparencë.
Borakaj: Doli kryeministri, bëri transparencë.
Stringa: Nuk bëri, dezinformoi.






