Pesë të arrestuar nga operacioni kundër krimit të organizuar, sekuestrohen armë e drogë

featured
Press Online
09 Qershor 2026, 14:34

Pesë persona janë arrestuar gjatë një aksioni policor të zhvilluar në disa lokacione në kuadër të hetimeve për operacionin e koduar “White Star”.

Sipas njoftimit, operacioni është realizuar nga Policia e Kosovës, nën monitorimin e Prokurorisë Speciale dhe me urdhër të Gjykatës Themelore, duke përfshirë lokacione në Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas.

Të arrestuarit janë ndaluar me vendim të prokurorit special për 48 orë, nën dyshimet për përfshirje në veprat penale, pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, trafikim dhe shpërndarje të narkotikëve, si dhe pastrim të parave.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar prova dhe pasuri të ndryshme, përfshirë gjashtë armë, pesë karikatorë, 239 fishekë, 9.67 gram kokainë, 35.18 gram fara mbjellëse marihuane, 25 telefona, 10 automjete dhe një motoçikletë, 10 kompjuterë, 13 USB dhe një DVR, si dhe 7,595 euro para të gatshme.

Po ashtu janë konfiskuar edhe 16 ora dore, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rast.

Operacioni është mbështetur nga EUROPOL-i dhe autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës, ndërsa përfaqësues të këtyre institucioneve së bashku me prokurorin e rastit kanë monitoruar aksionin nga terreni.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter