Qytetarët kanë paguar më shtrenjtë për transportin, ushqimin dhe një sërë shërbimesh gjatë muajit maj, ndërsa inflacioni në vend ka arritur në 4.8 për qind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, indeksi i kostos së jetesës në maj ka shënuar rritje mujore prej 0.6 për qind, duke reflektuar vazhdimin e trendit të rritjes së çmimeve në disa prej kategorive kryesore të konsumit, informon PressOnline.al.
Rritjen më të madhe gjatë muajit të kaluar e ka regjistruar transporti, me 1.6 për qind, ndërsa ushqimi dhe pijet joalkoolike, si dhe veshmbathja dhe këpucët, janë shtrenjtuar për 1.0 për qind.
Statistikat tregojnë se çmimet janë rritur edhe në sektorët e rekreacionit, sportit dhe kulturës për 0.9 për qind, në informacion dhe komunikime për 0.7 për qind, si dhe në restorante dhe shërbime akomodimi për 0.5 për qind. Rritje më të moderuar kanë shënuar edhe shpenzimet për shëndetësi, banim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse.
Ndërkohë, një lehtësim i vogël është evidentuar te kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e ndryshme, si dhe te pajisjet dhe mirëmbajtja e amvisërive, ku është regjistruar ulje e kostove.
Përveç inflacionit, Enti Shtetëror i Statistikave njoftoi se indeksi i çmimeve me pakicë në maj është rritur për 5.6 për qind në nivel vjetor, duke konfirmuar se presioni mbi buxhetet familjare mbetet i pranishëm.
Të dhënat e fundit tregojnë se ushqimi dhe transporti vazhdojnë të jenë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e kostos së jetesës, ndërsa qytetarët përballen me çmime më të larta në shpenzimet e përditshme. (PressOnline.al)


