Një person është arrestuar në Klinë nën dyshimin për tentim vrasje, pasi dyshohet se me veturën e tij ka goditur një motoçikletë në të cilën ndodheshin dy persona.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 7 qershor, rreth orës 15:20. I dyshuari, me veturën e tij me targa vendore ka goditur motoçikletën ku po udhëtonin dy meshkuj kosovarë.
Si pasojë e incidentit, dy personat që ndodheshin në motoçikletë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Tentim vrasje” dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.





