Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar në emisionin Debat Plus se partia e tij ka arritur të ruajë përqindjen e saj në rezultatet preliminare të zgjedhjeve, pavarësisht, siç tha ai, një gare që nuk ka qenë e barabartë.
Duke komentuar procesin zgjedhor dhe zhvillimet pas publikimit të rezultateve, Hamza theksoi se abstenimi i një pjese të votuesve duhet marrë parasysh, ndërsa ngriti akuza për përdorim të madh të mjeteve publike dhe resurseve shtetërore gjatë fushatës.
“PDK-ja si përqindje ka arritur me ruajt përqindjen e vet. Megjithatë kemi një abstenim të votuesit, duhet të kemi konsideratë që ka qenë garë jo e barabartë, jo fer janë përdorur qindra miliona euro. Për ndryshe numrin më madhe të rënies së votave e ka LVV-ja. Kish me qenë rënia edhe më e madhe për LVV-në mos t’i kishin keqpërdor paranë publike dhe resurset shtetërore”, ka thënë Hamza.
Sipas të dhënave më të fundit preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri tani janë procesuar 669,762 vota ose janë numëruar 2,311 nga 2,498 vendvotime (92,51%).
Në këtë fazë të numërimit, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës renditet më poshtë.
https://www.youtube.com/watch?v=zgTP9b35nM4





