(E përditësuar) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar përditësimin më të ri të rezultateve preliminare nga zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, ku tashmë janë procesuar gati një e pesta e vendvotimeve në nivel vendi.
Sipas të dhënave të publikuara në orën 20:04, janë përpunuar 489 nga gjithsej 2,498 vendvotime, që përbëjnë 19.58 për qind të tyre. Deri në këtë fazë janë numëruar gjithsej 104,057 vota.
Rezultatet preliminare tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë e para me 39.31 për qind të votave, ose 39,104 vota.
Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 22.48 për qind, përkatësisht 22,359 vota.
Në vendin e tretë ndodhet Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.00 për qind të votave, ose 17,904 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 9.81 për qind, që përkthehet në 9,763 vota, ndërsa Lista Serbe renditet me 4.40 për qind, ose 4,373 vota.
Ndërkohë, të dhënat për pjesëmarrjen në zgjedhje tregojnë se nga 1,959,962 qytetarë me të drejtë vote, kanë votuar 722,752 qytetarë, që i bie 36.88 për qind e trupit elektoral.
Sipas KQZ-së, janë procesuar 2,497 nga 2,498 vendvotime për llogaritjen e pjesëmarrjes, ose 99.96 për qind e tyre.
Krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, kur pjesëmarrja kishte qenë 44.99 për qind, zgjedhjet e 7 qershorit kanë shënuar një rënie të ndjeshme të daljes së qytetarëve në votime.





