Gazetarja Blerta Zuka, duke raportuar në edicionin special të RTV Dukagjini nga Shkolla Teknike në Mitrovicën e Veriut, ka thënë se qytetarët serbë janë organizuar sërish për të dalë në votime, në një praktikë që sipas saj është përsëritur në pothuajse çdo proces zgjedhor.
Ajo tha se qytetarët fillimisht janë mbledhur në sheshin “Car Lazar”, për t’u drejtuar më pas në mënyrë të organizuar drejt qendrave të votimit.

“Pamjet e tilla janë bërë tashmë traditë, ku saktësisht në orën e njëjtë thuajse në çdo proces zgjedhor pjesëtarët e komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut vijnë të organizuar dhe i drejtohen kështu në këtë lloj forme qendrave të votimit, përfshi këtu edhe këtë shkollë teknike ku po zhvillohet edhe procesi zgjedhor. Praktikat e tilla i kemi parë vazhdimisht dhe kanë qenë në fakt subjekt i diskutimit nga organizatat që monitorojnë zgjedhjet, pasi legjislacioni zgjedhor garanton që votimi duhet të jetë i lirë, individual dhe pa asnjë formë ndikimi, dhe një formë e tillë është kundërshtuar dhe është cilësuar si e kundërligjshme”, ka deklaruar Zuka.
Sipas saj, grumbullimi i qytetarëve ka nisur në qendër të qytetit, për t’u vazhduar më pas drejt vendvotimeve.
“Qytetarët e komunitetit serb janë mbledhur në sheshin Cara Lazar dhe kanë vazhduar në formë grupore që të vijnë te kjo qendër votimi në mënyrë të organizuar”, ka thënë ndër të tjera gazetarja Zuka.
Organizimi i votuesve në grup nga Lista Serbe është raportuar edhe në procese të mëhershme zgjedhore dhe ka qenë objekt vlerësimi nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare që monitorojnë zgjedhjet në Kosovë.
https://www.youtube.com/watch?v=shlsHI_3wE8
Lista Serbe sërish voton në grup





