Dardan Gashi: Humbësi i debatit ishte bindshëm Glauk Konjufca

featured
Press Online
05 Qershor 2026, 23:43

Analisti Dardan Gashi ka vlerësuar se humbësi i përballjes së nënkryetarëve të partive politike në emisionin “Debat Plus” ishte bindshëm nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca. Ndërsa fituese ka qenë Doarsa Kica-Xhelili nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas Gashit, rezultati i debatit nuk lidhet me faktin se Konjufca ishte i vetëm përballë tre kundërshtarëve politikë, por me cilësinë e argumenteve të paraqitura gjatë debatit.

“Humbësi është Glauk Konjufca, bindshëm. Nuk është arsyeja se ishte një kundër tre. Argumentet janë të njëjta, qoftë tre apo pesë përballë njërit. Një debatues i mirë fiton edhe kundër pesë apo gjashtë vetëve kur i ka argumentet e mira”, deklaroi ai.

Gashi tha se gjatë ditëve të fundit Vetëvendosje është përballur me disa goditje në opinionin publik, duke përmendur reagimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me projektin e gazit dhe deklaratat për Gazën.

Ai theksoi se Kosova ka humbur pozicionin që kishte për realizimin e projektit të gazit dhe paralajmëroi se ekziston rreziku që Serbia të përfitojë para Kosovës.

“Nga një vend që kishte mundësi ta realizonte projektin, tani jemi në fund. Ka rrezik të madh që Serbia të na tejkalojë”, tha Gashi.

Analisti kritikoi edhe vizitën e zyrtarëve kosovarë në Bosnje dhe Hercegovinë, duke e lidhur atë me praninë e liderit serb të Bosnjës, Milorad Dodik.

Po ashtu, ai e cilësoi si problematik çështjen e emërtimit të rrugëve në veri të Mitrovicës, duke e quajtur atë një “maskaradë” për të cilën, sipas tij, duhet të japin sqarime kryeministri dhe institucionet përgjegjëse.

Gashi kritikoi edhe promovimin e projekteve infrastrukturore nga qeveria, duke përmendur në veçanti projektin e “Vadës së Vogël”.

“Kur një ministër dhe një kryetar komune dalin për ta prezantuar si projekt madhor, kjo tregon se nuk ka projekte të tjera më të mëdha për t’u prezantuar”, deklaroi ai në emisionin “Debat Plus”.

 

https://www.youtube.com/watch?v=3hyHFW70dD8

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter